Lajme

Tubimi pro-Vuçiqit në Kumanovë, Kuçi ngre alarmin: Serbia po e rrethon Kosovën përmes fqinjëve

Njohësi i sigurisë, Gurakuç Kuçi, ka reaguar pas një tubimi të mbajtur në Kumanovë në mbështetje të presidentit serb Aleksandar Vuçiq.

Përmes një postimi publik, Kuçi tha se tubimi u organizua në të njëjtën ditë kur në Serbi studentët po protestonin kundër pushtetit të Vuçiqit, ndërsa theksoi se në këtë organizim nuk munguan as thirrjet kundër Kosovë.

Sipas tij, kjo ngjarje lidhet me përpjekjet e Serbisë për të ushtruar presion politik dhe psikologjik ndaj Kosovës përmes vendeve fqinje, duke përmendur edhe zhvillime të ngjashme në Mal i Zi dhe Maqedonia e Veriut.

Postimi i Kuçit:

Sot në Kumanovë u mbajt një tubim në mbështetje të Aleksandar Vuçiqit, pikërisht në ditën kur në Serbi studentët po protestojnë kundër “pushtetit” të tij.

Në Kumanovë, madje si gjithmonë ku organizohen serbët, nuk u la mënjanë edhe thirrja kundër Kosovës.

Kjo ngjarje në Kumanovë është në vargun e organizimeve si ajo e ashtuquajtura “tërheqja” e njohjes ndaj Kosovës në Zetë në Mal të Zi dhe veprimet e mëhershme edhe në Maqedoni të Veriut.

Para disa ditësh, në artikullin “Rrethimi psikopolitik i Kosovës nga Serbia me Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut”, kam analizuar pikërisht këtë prirje: përpjekjen e Serbisë për të krijuar presion politik, psikologjik dhe shoqëror ndaj Kosovës edhe përmes hapësirave fqinje.

Qëllimi është që e gjitha të përfundoj ku Kosova rrethohet në formë patkoi nga armiqtë sikur dikur plani i Sllobodan Millosheviqit për gjenocidin dhe shpërnguljen e shqiptarëve nga Kosova.

Ngjarja e sotme në Kumanovë vetëm e bën më të dukshme atë që kam trajtuar në artikullin tim. Po e sjell përsëri artikullin në komentin e parë.

Të Ngjashme