Lajme

​“Unë të tregoj gjithçka, ti mua jo” – çfarë u dëshmua në gjykimin për spiunazh ndaj Shabanit dhe Qerimit?

Sot, është mbajtur seanca e radhës për të akuzuarit Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi të cilët akuzohen për veprën penale “Spiunazh”.

Në këtë seancë ka dëshmuar A.K., zyrtar policor i cili gjatë dëshmisë së tij tregoi se kishte punuar më herët me Muharrem Qerimin, por që mohoi se ky i fundit të ketë qenë informator i Policisë së Kosovës.

Dëshmitari, i cili u mor në pyetje nga prokurori Bekim Kodraliu, tha se me Qerimin kishte punuar në një ekip hetimor për rreth dy vjet, pasi ky i fundit ishte transferuar nga rajoni i Ferizajt në Drejtorinë e Përgjithshme, përkatësisht në Departamentin e Hetimeve në Prishtinë. Ai deklaroi se pas largimit të Qerimit nga Policia e Kosovës nuk kishin pasur kontakt për një periudhë të gjatë, ndërsa takimet e tyre kishin rifilluar në vitin 2022.

Dëshmitari shpjegoi se një nga detyrat e tij në polici kishte qenë trajtimi i burimeve të informacionit. Sipas tij, Qerimi gjatë takimeve i kishte thënë se kishte informacione për t’i dhënë, por ato nuk kishin qenë të sakta ose të plota.

Dëshmitari në rastin e spiunazhit të Qerimit: Informacionet e tij kanë qenë të pasakta ose jo të plota

“Një ndër detyrat e mia ka qenë tregimi i burimit të informacionit. Herë pas here më ka takuar dhe më ka thënë se ka ndonjë informacion. Jo se ka dhënë ndonjëherë shumë informacion ose diçka të veçantë, por zakonisht si arsyetim për takim ka qenë dhënia e informacionit. Kur ka thirrë ka thënë se ka me dhënë diçka. Shumica e informacioneve ose nuk kanë qenë informacione të sakta ose jo të plota për punën. Jo, Muharremi nuk ka qenë informator i Policisë së Kosovës”, deklaroi dëshmitari.

Ai tregoi edhe për një bisedë me Qerimin, gjatë së cilës, sipas tij, ia kishte bërë të qartë se pas largimit nga policia, nuk mund të diskutonin më në të njëjtën mënyrë si më parë.

“Unë ty po të tregoj gjithçka, ti kurrgjë”, dëshmitari tregon çka i kishte thënë i akuzuari për spiunazh

“Kjo ka ndodhur në këtë takimin që e potencova në vitin 2012, pak kohë kemi qenë në pauzë, pasi isha duke analizuar për të nxjerrë përfundime nga biseda me të, për një moment Muharremi më ka thënë se unë ty po të tregoj gjithçka, ti mua nuk po më tregon gjithçka. Ka ndryshuar mënyra e komunikimit pasi më nuk je pjesë e policisë. Nuk është më zyrtar policor dhe nuk mund t’i diskutojmë më, por nëse ki diçka me ia dhënë policisë mundesh me na dhënë, gjithmonë në cilësinë e një burimi të paregjistruar”, tha ai.

Duke folur për dyshimet lidhur me bashkëpunimin e Qerimit me Shërbimin Sekret Serb, BIA, dëshmitari tha se për këtë kishte mësuar nga mediat pas arrestimit të tij. Ai shtoi se, duke parë më vonë akuzat ndaj Qerimit, kishte krijuar përshtypjen se takimet me të mund të kishin shërbyer për të mbuluar aktivitetin për të cilin akuzohet.

Dëshmitari A.K: Gjithnjë ka qenë insistimi i Muharremit që të takoheshim, pas arrestimit e kuptova për çka akuzohet

“Sa i përket bashkëpunimit të tij me BIA, atë e kam mësuar nga mediat pas arrestimit të tij. Me Muharremin, pas takimit të parë që e kemi bërë pas 10 viteve, ka qenë ai që më ka thirrur, nuk ka qenë asnjë informacion që nuk ka pasur rëndësi. Gjatë kësaj kohe që jemi takuar pas 10 viteve, zakonisht ka qenë insistimi i tij me u taku. Pas arrestimit të tij, kuptova nga mediat për çka akuzohet, ku është një konkluzion i imi që një ndër arsyet që ky ka ardhë me u taku me mua, nëse e ka kryer aktivitetin që akuzohet, ta ketë si mbulesë takimi me mua”, tha ai.

Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi akuzohen për spiunazh te BIA serbe, ku sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale e Kosovës më 19 shkurt 2025, ata dyshohet se i kanë dhënë informacione Shërbimit Sekret Serb lidhur me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, masakrat në Kosovë, Agjencinë Kosovare të Inteligjencës, Policinë e Kosovës dhe Inspektoratin Policor të Kosovës.

Të Ngjashme