Pas akademisë përkujtimore kushtuar veprimtarit dhe luftëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Milazim Vataj, djali i tij, Valon Vataj, ka ndarë kujtime për të atin, sakrificën e tij gjatë luftës dhe mesazhet që ua kishte lënë familjarëve para ndarjes nga jeta.
Valon Vataj tha për KosovaPress, se 28 Nëntori është një ditë edhe më e veçantë për familjen e tyre, pasi në këtë ditë u mbajt akademia përkujtimore dhe u zbulua lapidari në nderim të babait të tij.
Valon Vataj: Babai im ishte aktivist që nga fillimet e para të celulave të UÇK-së
“Padyshim, sot është ndjenjë krenarie, meqenëse është dhe ditë festive, 28 Nëntori, e cila është një ditë e shenjtë për të gjithë shqiptarët. Për neve, sot është një ditë edhe më e veçantë, duke pasur parasysh që sot po e mbajmë akademinë përkujtimore dhe zbulimin e lapidarit për babën, i cili ka qenë një aktivist qysh nga fillimet e para të celulave të UÇK-së, gjithashtu ka qenë edhe një ushtar i denjë i UÇK-së”, tha Vataj.
Ai tregoi edhe një nga historitë që babai i kishte përjetuar gjatë luftës, në ofensivën e parë në Budakovë, kur bashkë me bashkëluftëtarët ishte detyruar të përshkonte një rrugë të gjatë në kushte të vështira.
Valon Vataj: Babai im eci 13 km zbathur duke bartur bashkëluftëtarët e plagosur – kontributi për Kosovën s’duhet ndalur
“Ka shumë histori, po njëra është kur ka qenë ofensiva e parë në Budakovë dhe babës, së bashku me shokë, i është dashur 13 km t’i bëjnë në këmbë, zbathur dhe duke bartur edhe shokët e tyre të plagosur, pa ushqim. Kanë kaluar jashtëzakonisht sfida shumë të mëdha, e ne sot duhet të bëhemi më të përgjegjshëm për të dashur dhe kontribuar më shumë për këtë vend, dhe të gjitha veprat e tyre ne t’i dërgojmë aty ku ata na e kanë lënë amanet, sepse Kosovës iu kanë thurë themelet, mirëpo neve na mbetet ta ndërtojmë Kosovën…Mesazhi i ditëve të fundit para ndarjes nga jeta të babait ka qenë gjatë gjithë kohës që kontributi yt nuk shihet në qoftë se vazhdon me bë kontribut vetëm për rrethin e ngushtë apo atë personal, mirëpo kontributi yt llogaritet atëherë kur ke bërë diçka të madhe për Kosovën”, tha ai.
Valon Vataj u shpreh se një lloj komoditeti i krijuar pas luftës sikur po e zbeh idealin që kishin të parët, ndërsa theksoi se familja do të vazhdojë rrugën e tyre dhe do të kontribuojë për vendin.
Valon Vataj: Komoditeti po e zbeh idealin që kishin të parët tanë
“Ky komoditeti që kemi fituar, ndonjëherë po e zbeh idealin që kanë pasur të parët tanë. Ne, familja jonë, besoj që do ta vazhdojmë rrugën e tyre dhe do të japim kontribut aq sa mundemi, prej mundësive dhe kapaciteteve tona që i kemi”, përfundoi Vataj.
Në kuadër të shënimit të 28 Nëntorit, sot në Sallagrazhdë të Suharekës është zbuluar lapidari kushtuar veprimtarit dhe luftëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Milazim Vata. Në nderim të jetës dhe veprës së tij, është mbajtur edhe akademia përkujtimore, ku familjarë, bashkëluftëtarë, përfaqësues institucionalë dhe qytetarë kanë kujtuar kontributin dhe sakrificën e tij për lirinë e Kosovës.
