Lajme

Varrezat masive në Zubin Potok: Pas 27 vjetësh, ADN-ja në Hagë konfirmon identitetin e Idriz Rrecajt

Idriz Rrecaj nga Llausha e Skënderajt është njëri prej tre viktimave të konfirmuara nga analizat e ADN-së të mbetjeve mortore të gjetura në lokacionet e varrezave masive në Kalludër dhe Jabukë të Zubin Potokut në veri të vendit, pas 27 vjetësh.

Shpëtim Rraci, djali i Idriz Rrecajt, shkroi në një postim në Facebook se janë informuar zyrtarisht nga institucionet.

“Pas 27 vitesh pritje, dhimbje dhe pasigurie, morëm lajmin nga institucionet tona që nga laboratori i ADN-së në Hagë është konfirmuar zyrtarisht identifikimi i prindit tim, Idriz Rrecaj”, shkroi ai.

Ai ka shprehur “mirënjohje të thellë për të gjitha institucionet e shtetit dhe për çdo person që ka punuar ndër vite për zbardhjen e fatit të tij dhe të personave të zhdukur”.

Idriz Rrecaj ishte në mesin e 23 burrave që u zhdukën në prill të vitit 1999.

Postim i plotë:

Pas 27 vitesh pritje, dhimbje dhe pasigurie, morëm lajmin nga institucionet tona që nga laboratori i ADN-së në Hagë është konfirmuar zyrtarisht identifikimi i prindit tim, Idriz Rrecaj.

Pyetjes “Ku është Idriz Rrecaj?” i erdhi fundi. Pas 27 vitesh, më në fund kemi përgjigjen që e kemi pritur për kaq gjatë.

Mirënjohje të thellë për të gjitha institucionet e shtetit dhe për çdo person që ka punuar ndër vite për zbardhjen e fatit të tij dhe të personave të zhdukur.

GJAKU NUK HUMB KURRË!

Të Ngjashme