Lajme

Vazhdon në Hagë seancat ndaj Thaçit dhe të tjerëve për pengim të drejtësisë

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës, në Hagë, nga e hëna deri të premten do të mbahen seanca gjyqësore në rastin ndaj Hashim Thaçi, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, lidhur me akuzat për pengim të administrimit të drejtësisë.

Në seancën e djeshme, në rastin kundër administrimit të drejtësisë, ka dëshmuar ekspertja Helen Fraser. Kjo dëshmitare do vazhdojë dëshminë edhe sot.

Ekspertja Fraser dje dëshmoi rreth transkriptimit të audiove nga vizitat në qendrën e paraburgimit. Me këtë rast, ajo tha se mbështetja në transkriptet e ZPS-së nga audiot e vizitave në qendrën e paraburgimit është e ulët.

Helen Fraser- dëshmitare e thirrur nga mbrojtja e Thaçit, ritheksoi se nuk mund të mbështetesh në ato transkripte të ZPS-së si të sakta.

Prokurori Joshua Hafetz, tha se ekspertja ka pohuar që problematike ishte numri i mjaftueshëm i burimeve dhe materialet e ç’organizuara. Sipas prokurorit, procesi i verifikimit u quajt nga dëshmitarja si “eksperiment jo i mirëkontrolluar”.

Ekspertja tha se mendon që Njësia e përkthimeve ka bërë versionet finale që janë sugjeruar nga gjykatësi.

Në kuadër të këtij rasti, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj u arrestuan në Kosovë më 5 dhjetor 2024 dhe një ditë më pas u transferuan në paraburgimin e Hagës, pas konfirmimit të aktakuzës dhe urdhërarresteve nga Gjykata Speciale.

Po atë ditë, edhe Hashim Thaçi mori zyrtarisht fletarrestimin në qendrën e paraburgimit në Hagë, ku tashmë ndodhej për procesin tjetër gjyqësor.

Ndërkohë, Hajredin Kuçi u njoftua me aktakuzën dhe urdhrin për t’u paraqitur para gjykatëses së procedurës paraprake më 9 dhjetor.

Sipas aktakuzës, Thaçi dhe të akuzuarit e tjerë dyshohet se kanë vepruar individualisht dhe në bashkëpunim për të ndikuar ose penguar zyrtarët në ushtrimin e detyrave të tyre.

Në paraqitjen e parë para gjykatës, më 27 shkurt 2026, të gjithë të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm ndaj akuzave që rëndojnë mbi ta.

Të Ngjashme