Lajme

Vdekja e pacientes me kancer të gjirit, reagon drejtori i Onkologjisë: Mohon mungesën e terapisë për katër muaj

Drejtori i Klinikës së Onkologjisë në QKUK, Ilir Kurtishi, ka reaguar pas raportimeve për vdekjen e një pacienteje me kancer të avancuar të gjirit, për të cilën organizata “Renesansa” pretendoi se kishte mbetur për rreth katër muaj pa terapinë me medikamentin Palbociclib.

Kurtishi ka mohuar pretendimet se pacientët kanë mbetur për katër muaj pa këtë terapi për shkak të mungesës së barit në Klinikën e Onkologjisë, duke theksuar se furnizimi me medikamentin ka vazhduar sipas dinamikës së paraparë.

“Klinika e Onkologjisë sqaron se nuk ka pacientë që kanë mbetur për katër muaj pa terapinë me Palbociclib, siç shkruhet, për shkak të mungesës së këtij bari në Klinikë. Furnizimi me këtë medikament ka ndjekur dinamikën e paraparë të furnizimeve spitalore për të gjithë pacientët që trajtohen në institucionin tonë”, ka deklaruar Kurtishi.

Reagimi i tij vjen pasi organizata “Renesansa” bëri të ditur se një paciente me kancer të avancuar të gjirit kishte humbur jetën, duke pretenduar se ndërprerja e terapisë për rreth katër muaj ishte pasuar me shfaqjen e metastazave të reja në tru. Sipas organizatës, pacientja nuk kishte pasur mundësi ta siguronte vetë medikamentin, çmimi i të cilit arrin deri në 1 mijë e 800 euro.

Duke iu përgjigjur këtyre pretendimeve, drejtori i Onkologjisë ka theksuar se kanceri metastatik i gjirit është sëmundje komplekse dhe agresive, ndërsa trajtimet, përfshirë Palbociclibin, synojnë ngadalësimin e përparimit të saj, por nuk garantojnë ndalimin e plotë të sëmundjes.

“Te disa pacientë, për shkak të specifikave biologjike individuale të tumorit, sëmundja zhvillon rezistencë dhe shfaq metastaza të reja (përfshirë ato në tru) edhe përgjatë kohës kur pacienti është nën terapi të rregullt”, ka theksuar ai.

Kurtishi ka vlerësuar se ndërlidhja e drejtpërdrejtë e përkeqësimit të gjendjes shëndetësore me një faktor të vetëm, pa u analizuar historia e plotë mjekësore e pacientes, është e pasaktë nga pikëpamja mjekësore.

Ai ka bërë të ditur se QKUK-ja ka kontaktuar organizatën “Renesansa” pas reagimit publik. Sipas tij, përfaqësuesit e organizatës kanë konfirmuar se pacientja po përballej për herë të dytë me sëmundjen, në një stad të avancuar dhe me metastaza.

Drejtori i Onkologjisë ka paralajmëruar se të enjten do të publikohen edhe të dhëna nga historia mjekësore e pacientes, duke respektuar dispozitat ligjore për konfidencialitetin.

“Nesër do të publikojmë edhe historinë mjekësore, sigurisht duke ruajtur të gjitha normat e konfidencialitetit sipas ligjit në fuqi, ku specifikohen edhe detajet për marrjen e terapisë së përmendur”, ka deklaruar Kurtishi.

Në fund të reagimit, ai ka shprehur ngushëllime për familjen e pacientes, ndërsa ka kritikuar publikimin e pretendimeve që, sipas tij, mund të krijojnë pasiguri dhe shqetësim te pacientët onkologjikë dhe familjarët e tyre.

Kurtishi ka theksuar se Klinika e Onkologjisë mbetet e hapur për bashkëpunim me institucionet përkatëse për të ofruar sqarime lidhur me trajtimin e pacientëve.

Të Ngjashme