Lajme

Vdekjet e punëtorëve në KEK, sindikalistët paralajmërojnë protestë

Sindikata e Re e KEK-ut ka mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme të kryesisë, lidhur me vdekjet dhe aksidentet e punëtorëve në vendet e punës.

Kryetari i Sindikatës së Re të KEK-ut, Xhelal Jashari, tha se rastet që kanë ndodhur janë të papranueshme dhe, për këtë shkak, sindikalistët do të protestojnë në shenjë pakënaqësie për jetët e humbura.

“Sot është diskutuar për kushtet dhe sigurinë në punë të punëtorëve dhe është konstatuar dhe vlerësuar se kushtet janë jashtëzakonisht të vështira, por edhe siguria dhe pajisjet mbrojtëse janë në mungesë të madhe në Korporatën Energjetike të Kosovës. Si kryesi morëm vendim që të protestohet. Nesër do ta mbajmë një protestë simbolike, kurse të mërkurën do të protestohet në të tri divizionet, nga ora 8:00 e mëngjesit, për të shprehur pakënaqësinë tonë për mungesën e pajisjeve mbrojtëse dhe për t’u solidarizuar me familjet e punëtorëve që kanë humbur jetën”, ka theksuar ai.

Ai ka ngritur shqetësimin për rastet e fundit që kanë ndodhur, ku humbën jetën kolegët e tyre.

“Ata kanë ardhur për të punuar, për të dhënë djersën dhe maksimumin e tyre, në mënyrë që Kosova të ketë dritë”, deklaroi ai.

Sipas tij, protesta e punëtorëve do të mbahet në Divizionin e Prodhimit të Qymyrit, në Divizionin e Termocentralit “Kosova A” dhe në atë të Kosovës B.

Të Ngjashme