Lajme

​Vdes sulmuesi që vrau gjashtë persona në një shesh në Poloni

24-vjeçari me bindje të ekstremit të djathtë, i cili vrau gjashtë persona dhe plagosi 15 të tjerë në një sulm me armë zjarri në sheshin kryesor të Krakovit në Poloni, vdiq të hënën në spital.

Sulmuesi, i veshur me rroba ushtarake dhe jelek antiplumb, hyri me veturë në shesh dhe qëlloi me armë. Ai vazhdoi të qëllonte edhe pasi u plagos nga policia, ndërsa më pas iu nënshtrua disa ndërhyrjeve kirurgjikale, por nuk arriti të mbijetonte.

Prokuroria po heton nëse 24-vjeçari ishte frymëzuar apo ndihmuar nga persona të tjerë, si dhe mënyrën se si kishte siguruar armët dhe municionet. Pajisjet e tij elektronike janë sekuestruar për t’u shqyrtuar, ndërsa autoritetet kanë nisur autopsitë e viktimave.

Nga sulmi mbetën të vrarë katër gra dhe dy burra, përfshirë shtetas nga Polonia, Mbretëria e Bashkuar dhe Austria, raporton Associated Press. Pesë të huaj nga Mbretëria e Bashkuar, Portugalia, Rusia, Gjermania dhe Austria janë në mesin e 15 të plagosurve, përcjell KosovaPress. Të gjithë të plagosurit janë në gjendje të qëndrueshme, përveç policit që ndaloi sulmuesin, i cili vazhdon të jetë në gjendje të rëndë.

Autoritetet gjetën gjithashtu trupat e pajetë të motrës, nënës dhe babait të sulmuesit në shtëpinë e familjes në Ostrowiec Swietokrzyski, rreth 150 kilometra larg Krakovit. Ata dyshohet se janë vrarë me armë zjarri.

Prokuroria ka nisur hetimet për vrasjen dhe tentimvrasjen e disa personave, përfshirë policë, duke e cilësuar sulmin si vepër terroriste./teve1.info/

Të Ngjashme