Kongresistët amerikanë Keith Self dhe Suhas Subramanyam kanë vizituar të martën Luginën e Preshevës. Gjatë kësaj vizite, Self dhe Subramanyam kanë zhvilluar takime me kryetaren e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, me kryetarin e Këshillit Shqiptar të Luginës së Preshevës, Enkel Rexhepi, si dhe me deputetin e vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi.
Self ka deklaruar se ekzistojnë probleme reale mes shqiptarëve dhe Serbisë, duke theksuar se kjo është diçka e njohur tashmë.
Ai shtoi se delegacioni amerikan do të vizitojë edhe Kosovën për të parë nga afër gjendjen e pakicës serbe, me qëllim që të kuptohet mënyra se si trajtohen pakicat dhe cilat janë të drejtat e tyre në të dyja vendet.
“Kemi parë se ka probleme reale mes shqiptarëve dhe Serbisë, siç edhe e kemi ditur. Por, do të shkojmë edhe në Kosovë për të mësuar për pakicën serbe atje. Pra, po i vizitojmë të dyja vendet për të kuptuar se si trajtohen pakicat dhe cilat janë të drejtat e tyre”, ka thënë Self.
Ndërkaq, Subramanyam ka bërë të ditur se është informuar për sistemin arsimor, diskriminimin ndaj shqiptarëve, si dhe për çështjen e pasivizimit të adresave.
“Realiteti është që Serbia, për të ecur përpara, duhet të jetë në gjendje t’i adresojë këto çështje”, ka theksuar Subramanyam.
Për “Bota sot”, është vlerësuar se vizita e kongresmenëve amerikanë në Luginën e Preshevës përbën një moment të rëndësishëm, duke sinjalizuar se çështja e diskriminimit ndaj shqiptarëve është ngritur në nivele të larta të politikës amerikane. Sipas analistëve, vizita ka karakter verifikues dhe pritet të trajtojë në terren çështje si pasivizimi i adresave, diskriminimi në arsim e gjuhë, mosnjohja e diplomave dhe margjinalizimi institucional.
Gjithashtu, theksohet shqetësimi për fenomenin e pasivizimit të adresave, i cili cilësohet si formë e spastrimit administrativ që prek të drejtat qytetare dhe përfaqësimin politik të shqiptarëve. Gjendja në arsim vlerësohet si problematike, me mungesë tekstesh në gjuhën shqipe dhe deformim të kurrikulave, ndërsa kërkohet dokumentim i saktë i të gjitha shkeljeve nga institucionet lokale.
Nga evidentimi i diskriminimit drejt institucionalizimit të zgjidhjes
Në një prononcim për “Bota sot”, opinionisti Nehat Hyseni e ka cilësuar vizitën e kongresmenëve amerikanë Keith Self dhe Suhas Subramanyam në Luginën e Preshevës, si moment historik për shqiptarët, duke thënë se kjo tregon se çështja e diskriminimit ndaj tyre tashmë ka hyrë në agjendën e lartë të politikës amerikane.

Nehat Hyseni
Sipas tij, vizita do të shërbejë për verifikimin e pretendimeve për pasivizimin e adresave, diskriminimin në arsim e gjuhë, mosnjohjen e diplomave dhe margjinalizimin institucional të shqiptarëve në jug të Serbisë.
“Vizita e pritshme e kongresmenëve amerikanë Keith Self dhe Suhas Subramanyam në Luginën e Preshevës përbën një moment historik dhe një kthesë të rëndësishme në trajtimin ndërkombëtar të çështjes shqiptare në jug të Serbisë. Kjo vizitë nuk është një akt i zakonshëm diplomatik, por një dëshmi konkrete se problematika e diskriminimit sistematik ndaj shqiptarëve të kësaj treve tashmë është ngritur në nivelin më të lartë institucional të Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Kjo përfaqëson një zhvillim të ri cilësor: nga një çështje e trajtuar kryesisht në rrafshe rajonale apo organizata ndërkombëtare, në një temë që hyn në agjendën strategjike të politikës amerikane për të drejtat e njeriut dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.
Vizita e kongresmenëve amerikanë duhet parë në dy dimensione kryesore:
* Dimensioni verifikues (fact-finding mission)
* Dimensioni politik dhe strategjik
Detyra kryesore e kësaj vizite do të jetë verifikimi i të dhënave, deklarimeve dhe fakteve në terren lidhur me:
* fshirjen administrative të adresave të shqiptarëve,
* pasivizimin e vendbanimeve,
* diskriminimin në arsim, kulturë dhe përdorimin e gjuhës,
* mosnjohjen e diplomave nga universiteitet e Kosovës,
* margjinalizimin ekonomik dhe institucional, etj. Ky proces verifikimi është jetik, sepse nga saktësia e informacionit do të varet edhe niveli i reagimit ndërkombëtar dhe forma e ndërhyrjes politike amerikane dhe të BE-së në të ardhmen”, ka thënë ai.
Gjithashtu, Hyseni ka ngritur shqetësimin për fenomenin e “pasivizimit të adresave”, duke thënë se po përdoret për largimin e shqiptarëve nga regjistrat civilë, kufizimin e të drejtave qytetare dhe dobësimin e përfaqësimit politik në Luginën e Preshevës.
“Një nga çështjet më shqetësuese është fenomeni i ashtuquajtur “pasivizim i adresave”, i cili në praktikë nënkupton:
* heqjen e shqiptarëve nga regjistrat civilë,
* pamundësimin e ushtrimit të të drejtave qytetare,
* përjashtimin nga votimi dhe përfaqësimi politik,
* kufizimin e qasjes në shërbime publike.
Ky fenomen përbën një formë moderne të spastrimit administrativ, i cili synon ndryshimin e strukturës etnike pa përdorur dhunë të drejtpërdrejtë fizike.
Duhet theksuar se shqiptarët e Luginës së Preshevës janë popullsi autoktone, me vazhdimësi historike që nga periudhat ilire, romake dhe mesjetare, dhe që kanë trashëguar: prona, shtëpi, objekte kulti dhe varreza shekullore.
Çdo përpjekje për t’i zhveshur ata nga identiteti juridik është një shkelje e rëndë e të drejtave themelore të njeriut”, ka shtuar ai.
Tutje, Hyseni ka vlerësuar se gjendja në sistemin arsimor në Luginën e Preshevës është alarmante dhe me shenja të diskriminimit institucional, duke përmendur mungesën e teksteve në gjuhën shqipe, deformimin e kurrikulave dhe përjashtimin e pjesëve të historisë kombëtare nga programet mësimore.
“Gjendja në sistemin arsimor në Luginën e Preshevës paraqitet alarmante dhe me elemente të qarta diskriminimi institucional.
Problemet kryesore:
* Mungesa e teksteve shkollore në gjuhën shqipe
* Deformimi i kurrikulave, veçanërisht në lëndën e historisë
* Heqja e rreth 30% të historisë kombëtare shqiptare nga programet mësimore pas vitit 2010
* Kushtet e dobëta infrastrukturore në shkolla
* Mungesa e kuadrove të mjaftueshme profesionale
Një rast simbolik i kësaj gjendjeje është Shkolla Fillore Qendrore “Profesor Ibrahim Kelmendi”, e cila përballet me mungesë të kushteve bazike për zhvillimin normal të procesit mësimor.
Mësimdhënësit janë të detyruar:
* të improvizojnë materiale,
* të japin shënime të pa standardizuara,
* të kompensojnë boshllëqet programore me mjete vetjake dhe diktim të njësive mësimore.
Ky realitet jo vetëm që cenon cilësinë e arsimit, por rrezikon edhe ruajtjen e identitetit kulturor dhe historik të brezave të rinj”, ka cekur ai.
Më tej, ai ka theksuar rëndësinë e rolit të institucioneve lokale në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë për përgatitjen e një dokumentacioni të saktë dhe të besueshëm për delegacionin amerikan, duke përfshirë statistika, dëshmi konkrete dhe raste shkeljesh, por duke shmangur propagandën dhe manipulimin e fakteve.
“Përdorimi i gjuhës shqipe në institucionet publike mbetet i kufizuar dhe shpesh formal:
* dokumentet zyrtare nuk janë gjithmonë në shqip,
* shërbimet administrative nuk ofrohen në mënyrë të barabartë,
* simbolet dhe identiteti kulturor shqiptar shpesh margjinalizohen.
Ky realitet bie ndesh me standardet evropiane dhe me konventat ndërkombëtare për mbrojtjen e pakicave kombëtare.
Institucionet komunale në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë kanë një përgjegjësi të drejtpërdrejtë për përgatitjen e një dokumentacioni të plotë dhe të besueshëm për delegacionin amerikan.
Ky dokumentacion duhet të përfshijë:
* statistika zyrtare,
* dëshmi konkrete,
* raste individuale të shkeljeve,
* analiza institucionale, etj.
Me këtë rast është thelbësore që:
* të shmanget propaganda,
* të mos manipulohet me fakte,
* të prezantohet një pasqyrë reale dhe e argumentuar e fakteve.
Vetëm një qasje serioze dhe profesionale mund të sigurojë besueshmërinë e çështjes shqiptare në sytë e partnerëve ndërkombëtarë. Çështja e shqiptarëve në Luginën e Preshevës ndodhet sot në një moment kritik, por edhe shpresëdhënës. Për herë të parë, ajo ka hyrë në një fazë ku: është e njohur ndërkombëtarisht,ka mbështetje nga aktorë të fuqishëm globalë, ka potencial për zgjidhje të drejtë.
Megjithatë, suksesi i këtij procesi do të varet shumë nga: serioziteti i përfaqësuesve lokalë, uniteti politik shqiptar dhe saktësia dhe besueshmëria e të dhënave të paraqitura”, ka shtuar ai.
Në fund, Hyseni ka theksuar se vizita e kongresmenëve amerikanë nuk përbën përmbyllje të procesit, por fillimin e një faze të re në ndërkombëtarizimin e çështjes së shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Sipas tij, kjo tregon se çështja po hyn në vëmendjen e institucioneve të larta ndërkombëtare dhe se drejtësia, edhe pse e vonuar, mbetet e arritshme.
“Vizita e kongresmenëve amerikanë nuk është fundi i një procesi, por fillimi i një faze të re në ndërkombëtarizimin e çështjes së shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Ajo dëshmon se:
* e vërteta po depërton në institucionet më të larta ndërkombëtare,
* drejtësia, edhe pse e vonuar, mbetet e arritshme,
* zgjidhja e kësaj çështjeje është tashmë në një rrugëtim të pakthyeshëm.
Në këtë kontekst, përgjegjësia historike bie mbi të gjithë aktorët politikë dhe institucionalë shqiptarë që këtë mundësi ta shndërrojnë në një rezultat konkret dhe të qëndrueshëm për të ardhmen e komunitetit shqiptar në Serbi”, ka përfunduar Hyseni.
Vizita amerikane në rajon, Hasani ngre çështjen e pasivizimit dhe diskriminimit
Ndërkaq, veprimtari nga Bujanoci, Refik Hasani ka deklaruar se vizita e kongresistëve amerikanë ka rëndësi të veçantë.
Hasani në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot” ka vlerësuar se vizita e kongresistëve amerikanë Keith Self dhe Suhas Subramanyam në Luginën e Preshevës përfaqëson një presion më të madh ndërkombëtar ndaj Serbisë për diskriminimin e shqiptarëve.

Refik Hasani
Sipas tij, kjo dëshmon se çështja e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit tashmë ka arritur në nivelet më të larta të politikës amerikane, duke përfshirë Senatin, Kongresin dhe Presidentin e SHBA-së.
“Vizita në Luginën e Preshevës nga kongresistët amerikanë Keith Self dhe Suhas Subramanyam, mendoj se përbën një presion më të madh ndërkombëtar për çështjen e diskriminimit të shqiptarëve nga ana e Serbisë. Ky është një zhvillim me trajtim të veçantë, ku ndërkombëtarizimi ka arritur në nivelet më të larta të vendimmarrjes së politikës së jashtme të SHBA-së, dhe çështja e Krahinës sonë po trajtohet në instanca dhe mekanizma më të lartë të Senatit, Kongresit dhe Presidentit të SHBA-së, sepse në këtë Krahinë ekziston diskriminim sistematik dhe mbi të gjitha nuk është zgjidhur statusi politik dhe juridik.
Kjo vizitë flet më së miri se është një mbështetje thelbësore, pasi ne kemi shprehur vullnetin plebishitar si komunitet i organizuar, dhe se kjo Krahinë i përket Evropës; kjo Krahinë nuk është çështje e brendshme e Serbisë dhe nuk e ka të zgjidhur statusin politik dhe juridik, duke kërkuar një zgjidhje të drejtë dhe të pranueshme, me ndërmjetësim dhe garanci të faktorit politik dhe ushtarak ndërkombëtar.
Është për t’u përshëndetur vizita në Krahinën e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit nga kongresistët amerikanë Keith Self dhe Suhas Subramanyam, pasi diskriminimi i kësaj krahine është bërë pjesë e diskutimit zyrtar në nivelet më të larta të politikëbërjes amerikane, dhe për t’u shprehur mirënjohje e sinqertë jo vetëm këtyre dy kongresmenëve amerikanë, por edhe kongresmenëve të tjerë, si demokratë ashtu edhe republikanë, si dhe komunitetit shqiptaro-amerikan për angazhimin dhe kontributin e tyre, ku përmes avokimit, lobimit të vazhdueshëm, takimeve dhe adresimeve me fakte, prova e dëshmi të bollshme është arritur të njihet dhe pranohet edhe zyrtarisht diskriminimi sistematik që ushtron Republika e Serbisë ndaj etnikumit autokton shqiptar në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc”, është shprehur ai.
Hasani ka kërkuar nga të gjitha subjektet politike shqiptare në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc që të dalin me një zë të unifikuar para delegacionit amerikan të udhëhequr nga kongresistët Keith Self dhe Suhas Subramanyam.
“Vetëm të unifikuar, përmes një vullneti të artikuluar plebishitar, sikur në Referendumin e 1–2 marsit 1992, dhe përmes bashkëveprimit të harmonizuar në sakrificën e luftës së UÇPMB-së, përmes së cilës është ruajtur pragu i shtëpisë, dinjiteti dhe identiteti, si dhe në kuadër të Marrëveshjes së Konçulit të 20 majit 2001”, ka përfunduar Hasani për “Bota sot”.
