Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Vranësira dhe shi, parashikimi i motit për sot

Një masë ajrore e ngrohtë dhe e lagësht nga jug-jugperëndimi i Europës do të diktojë kushtet e motit në territorin shqiptar duke bërë që vranësirat dhe shirat të jenë prezente. Herë pas here shirat do të paraqiten në formë shtrëngate shoqëruar me stuhi të forta ere, më të theksuara reshjet do të jenë në zonat veriperëndimore dhe zona të izoluara në qendër të Shqipërisë. Parashikohet që gjatë orëve të vona të natës të ketë dobësim të intensitetit të shirave në pjesën më të madhe të territorit duke lënë me rrebeshe të përkohshme vetëm skajin veri-veriperëndimor.

Temperaturat e ajrit do të pësojnë rritje të ndjeshme në vlerat minimale por ulen lehtë në mesditë duke u luhatur 4°C minimalja deri në 16°C maksimalja në rang vendi. Era do të fryjë mesatare dhe e fortë me shpejtësi 60 km/h nga drejtimi Verilindor, duke krijuar në brigjet detare dallgëzim 3 – 4 ballë.

Kosova

Territori i Kosovës përgjatë gjithë të mërkurë do të jetë me vranësira të dendura dhe reshje shiu e dëbore. Më të dendura reshjet do të paraqiten në zonat veriore dhe veriperëndimore të republikës së Kosovës. Parashikohet që edhe pasditja të vijojë me kushte të paqëndrueshme atmosferike ku vranësirat herë pas here do të pësojnë zhvillime të përkohshme duke gjeneruar rrebeshe shiu. Në viset malore priten reshje të pakta dëbore. Temperaturat e ajrit do të pësojnë rritje gjatë orëve të mëngjesit, por mesdita sjell sërish rënie të tyre duke luhatur vlerat ditore nga 3°C deri në 9°C. Era do të fryjë mesatare paradite POR e fortë gjatë pasdites duke arritur shpejtësinë deri në 55 km/h nga drejtimi kryesisht Verior dhe Verilindor.

Maqedonia e Veriut

Pjesa më e madhe e territorit të MV parashikohet që të jetë nën dominimin e kushteve të paqëndrueshme atmosferike, duke bërë që të ketë mbizotërim të vranësirave dhe reshjeve të shiut dhe dëborës ku herë pas here shirat do të jenë rrebeshe. Më të dukshme reshjet priten në zonat veriore dhe veriperëndimore. Ndërsa orët vijuese do të sjellin edhe stuhi të forta ere. Temperaturave të ajrit do të pësojnë rritje të lehtë në vlerat minimale por maksimalet do të pësojnë rënie te lehtë të tyre duke luhatur vlerat ditore nga 3°C deri në 11°C. Ndërkohë parametri i erës do të pësojë forcim të intensitetit duke bërë që herë pas here të jetë e fortë, me shpejtësi mbi 50 km/h nga drejtimi kryesisht Verior dhe Verilindor.

Europa

Zhvillimi i një qendre të fuqishme ciklonare në Jugperëndim të Europës me ndikim në të gjithë Mesdheun do të sjellë në këto rajone vranësira dhe rrebeshe shiu ku herë pas here shoqërohen me stuhi të forta ere. Në Ballkanin veriore dhe veriperëndimor priten edhe reshje dëbore. Po ashtu rrebeshe shiu dhe erëra të forta priten në brigjet e Egjeut dhe brigjet e detit të zi ndërsa e gjithë pjesa tjetër e kontinentit Europian do të paraqiten nën mbizotërimin e motit të kthjellet por temperaturave relativisht të ulëta./abcnews.al