Aktuale

“Vrasës, vrasës”/ Stadiumi nuk i ndali thirrjet ndaj portierit që u përplas me sulmuesin e Tenerifes, goditja i shkaktoi vdekjen

Futbolli spanjoll është tronditur nga lajmi i ndarjes nga jeta të sulmuesit të Tenerifes, Jesus de Miguel, i cili, sipas raportimeve, pësoi një atak kardiak pas një përplasjeje të fortë në fushën e lojës me portierin e Andorrës, Jesus Owono.

Ngjarja ka shkaktuar tronditje të thellë te futbollistët e të dyja skuadrave, veçanërisht te portieri Owono, i cili është përfshirë drejtpërdrejt në përplasjen fatale.

Sipas radios spanjolle COPE, portieri i Andorrës ka qenë në gjendje të rënduar emocionale pas incidentit dhe kishte shprehur dëshirën për t’i kërkuar personalisht ndjesë familjes së sulmuesit, ende pa u konfirmuar lajmi tragjik i vdekjes së tij.

Burime pranë klubit të Andorrës kanë përshkruar një atmosferë tepër të rënduar në skuadër, ndërsa disa futbollistë e kanë cilësuar ngjarjen si përvojën më të vështirë që kanë përjetuar ndonjëherë në një fushë futbolli.

Radio COPE thekson gjithashtu se drejtuesit e Andorrës kanë këmbëngulur se ndërhyrja e portierit nuk kishte asnjë qëllim për të dëmtuar kundërshtarin.

Megjithatë, situata është rënduar edhe më shumë nga reagimi i tifozëve në stadiumin Heliodoro, ku ndaj portierit janë dëgjuar thirrje të ashpra me fjalën “vrasës”.

Këto reagime kanë ndikuar edhe më tej në gjendjen psikologjike të Owono, i cili, sipas raportimeve, ishte tashmë thellësisht i tronditur nga ajo që kishte ndodhur në fushë.

Të Ngjashme