Xhevat Dajaku ka reaguar pas vrasjes së Arlinda Zekajt, duke kritikuar heshtjen shoqërore dhe mungesën e mbështetjes për familjet e viktimave.
Në reagimin e tij, Dajaku ka theksuar se në një shoqëri ku krimi gjen përkrahje, ndërsa zëri i viktimave nuk dëgjohet, nuk dështon vetëm drejtësia, por edhe ndërgjegjja e shoqërisë.
“Kur zëri i viktimës mbytet në heshtje, ndërsa krimi gjen përkrahje, atëherë nuk është vetëm drejtësia ajo që ka dështuar, por edhe ndërgjegjja e një shoqërie të tërë”, ka shkruar Dajaku.
Postimi i plotë:
Zëri i viktimës nuk dëgjohet, ndërsa zëri i krimit i tund sheshet, rrugët dhe shtetin!…
Familjeve të viktimave nuk ua zgjat dorën askush, ndërsa familjeve dhe familjarëve të kriminelëve u jepet forcë, ndihmë dhe përkrahje!…
Thirrja që nuk u dëgjua kurrë:
– Kush nuk është me viktimën, është me krimin!
Fatkeqësisht, sheshet heshtën, rrugët heshtën…
Në një shoqëri ku vriten patriotë, mësues, gazetarë e veprimtarë të devotshëm, mos u çuditni që vritet edhe zemra e kombit – Femra!
Dhe kur zëri i viktimës mbytet në heshtje, ndërsa krimi gjen përkrahje, atëherë nuk është vetëm drejtësia ajo që ka dështuar, por edhe ndërgjegjja e një shoqërie të tërë!
Ngushëllime juve botës së butë!
