Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Zbardhet loja e Vuçiqit/ Ja pse po e mban ndezur konfliktin me Kosovën, kështu po e ndihmon Putinin

Profesori dhe doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Bytyçi thotë se dialogu me Serbinë është bërë i rrezikshëm për Kosovën.

“Kosova është në proces dialogu me Beogradin. Është thënë për problem teknike e që kanë të bëjnë me marrëdhëniet midis të dy vendeve, por dialogu ka shkuar përtej këtyre kornizave. Prandaj është bërë i rrezikshëm për Kosovën. Politika në Kosovë lejoi që ky dialog të degjenerojë në drejtim të plotësimit të apetiteve serbe për territore. Në vend që dialogu të zhvillohej me serbët e Kosovës, u fokusua në interesat e Serbisë në Kosovë. Në vend që shteti i Kosovës të investonte nga buxheti i saj për ta bërë jetën e qytetarëve serbë në Kosovë sa më të mirë, ishte Serbia ajo që mori rolin e kujdestarit shtetëror për këtë pakicë. Këto ishin faje të rënda të paraardhësve të lidershipit të sotëm. Megjithatë duhet parë mundësia e rikthimit në dialog dhe investime infrastrukturore e në punësim të serbëve në Kosovë, me qëllim që të zbehet së paku dialogu me Serbinë. Është e vështirë, por nuk besoj se është vonë”, thotë Bytyçi për “Bota sot”.

Sipas tij, Aleksandër Vuçiq po luan lojë të dyfishtë.

“Aleksandër Vuçiq e mban të ndezur dhe në konflikt veriun e Kosovës jo vetëm për të plotësuar ëndrrën e Serbisë së Madhe, por edhe për t’ia krijuar shansin Vladimir Putin të merret më lehtësisht me pushtimin e Ukrainës. Megjithatë ai po bën lojë të dyfishtë. Në një anë mban lidhje dhe nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me Rusinë, nga ana tjetër bën sikur ndihmon Ukrainën. Disa ukrainas të plagosur i merr dhe i mjekon në Beograd dhe kjo shihet nga Perëndimi si “kthesë e Vuçiqit drejt Perëndimit”! Po kështu edhe ndonjë armë që Serbia e çon fshehtas në Ukrainë. Makiazhi serb po i verbon disa diplomatë e politikanë në Evropë dhe në SHBA”, shprehet Bytyçi.

E çuditshme sipas profesor Bytyçit, është simpatia që Edi Rama ka për Vuçiqin.

“Por ka verbuar edhe ndonjë politikan e diplomat shqiptar. Së paku deri tani fans i “veprimeve pro-euroatlantike” të presidentit serb është edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Miqësia dhe marrëdhënia midis tyre është shumë më e ngushtë sesa marrëdhënia e shefit të ekzekutivit të Shqipërisë me shefin e ekzekutivit të Kosovës. Kohët e fundit ka një lloj mospajtimi midis Ramës dhe Vuçiq për shkak të deklaratës së Edit për shuarjen e Open Balkan. Prej javësh nuk flitet më për këtë iniciativë. Por hatërmbetja e Beogradit po dëshmon atë që kemi thënë vazhdimisht. Se Ballkani i Hapur ishte dhe mbetet interes vetëm i Serbisë dhe Rusisë”, shpjegon Bytyçi.

“Sa më shumë që Aleksandër Vuçiq bën disa veprime simbolike pro-perëndimore, aq më i rrezikshëm bëhet ai për paqen e sigurinë rajonale. Madje aq më shumë i forcon marrëdhëniet në fshehtësi me Moskën dhe Kremlinin. Ligji i kompensimit e shton shumë herë dozën në anën e kundërt të tij. Kjo do të thotë se presidenti i Serbisë ndërsa bën disa lëvizje në dukje pro-euroatlantike, rrit në dimensione të reja bashkëpunimin me armikun e Perëndimit, Rusinë e Vladimir Putin. Ndryshe ai do të guxonte të vendoste sanksione dhe të dënonte ashpër agresionin rus në Ukrainë”, përfundon për “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.