Aktuale

Zbardhet plagosja në Lezhë: Sherri nisi në servis, babë e bir nxorrën armën dhe qëlluan punonjësin

Një mosmarrëveshje për pagesën e riparimit të një automjeti dyshohet se qëndron pas plagosjes me armë zjarri të ndodhur mesditën e djeshme në fshatin Manati të Lezhës.

Nga të dhënat e deritanishme të hetimit rezulton se incidenti ka nisur brenda ambienteve të një servisi automjetesh. Danjel Pikuli, punonjës në servis, është përfshirë në një debat me Gjergj dhe Seldo Vocin, babë e bir, të cilët kishin dërguar makinën e tyre për riparim.

Shkak i përplasjes dyshohet se është bërë pagesa e kërkuar për shërbimin e kryer. Debati verbal është tensionuar dhe më pas situata ka kaluar në konfrontim fizik mes tre personave.

Një pjesë e dinamikës së ngjarjes mësohet se është regjistruar nga kamerat e sigurisë. Pamjet e administruara nga grupi hetimor dyshohet se tregojnë përleshjen, e cila më pas përfundon me përdorimin e armës së zjarrit. Njëri prej personave dyshohet se ka qëlluar ndaj Pikulit, duke e plagosur në bark.

I dëmtuari është transportuar fillimisht për ndihmë mjekësore dhe më pas është dërguar me urgjencë në Spitalin e Traumës në Tiranë. Ai i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale dhe vazhdon të mbahet nën kujdesin e mjekëve. Për shkak të gjendjes shëndetësore, Pikuli nuk ka mundur ende të japë versionin e tij përpara hetuesve.

Ndërkohë, Gjergj dhe Seldo Voci dyshohet se janë larguar menjëherë pas të shtënave me një automjet Volkswagen. Përmes kamerave të sigurisë, policia ka arritur të ndjekë lëvizjen e mjetit deri në zonën e Shënkollit.

Hetuesit kanë sekuestruar gjithashtu regjistrime nga biznese të ndryshme përgjatë aksit Lezhë–Laç. Pamjet po analizohen për të rindërtuar itinerarin e ndjekur nga babë e bir pas largimit nga servisi dhe për të ndihmuar në lokalizimin e tyre.

Gjergj dhe Seldo Voci janë shpallur në kërkim nga policia. Hetimet vazhdojnë për të përcaktuar dinamikën e plotë të ngjarjes, personin që dyshohet se ka përdorur armën dhe rrethanat që çuan në përshkallëzimin e konfliktit.

Të Ngjashme