Një 64-vjeçar ka përfunduar në mbajtje nën dyshimin për vrasje në tentativë në Batllavë të Podujevës, pasi kushëriri i tij e denoncoi se kishte shtënë me pushkë gjuetie në drejtim të tij. Policia ka gjetur një gëzhojë në vendngjarje, por arma e dyshuar nuk është gjetur gjatë kontrollit të shtëpisë së të dyshuarit.
Media ka siguruar identitetet e personave të përfshirë në këtë rast. I dyshuari është Rizah Berisha (64), ndërsa ankuesi kushëriri i tij, Arben Berisha, 48 vjecar.
Ngjarja dyshohet se ka ndodhur të dielën, më 1 nëntor, mes orës 14:00 dhe 14:10, në një zonë malore të fshatit Batllavë. Rreth orës 14:20, Policia është njoftuar për të shtëna me armë zjarri dhe ka dërguar njësitë përkatëse në lokacion.
Sipas burimeve të Sinjalit, Arben Berisha u ka deklaruar policëve se kushëriri kishte shtënë me pushkë gjuetie në drejtim të tij, por nuk e kishte goditur. Ai ka qenë në gjendje të mirë shëndetësore. Gjatë këqyrjes së vendngjarjes, hetuesit kanë gjetur dhe sekuestruar një gëzhojë, e cila dyshohet se lidhet me të shtënën e raportuar.
Me urdhër të Prokurorisë, Policia ka kontrolluar edhe shtëpinë e Rizah Berishës, por aty nuk është gjetur ndonjë send i dyshimtë. 64-vjeçari është intervistuar në praninë e avokatit mbrojtës dhe, pas konsultimit me Prokurorinë, ndaj tij është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
Rasti po hetohet si “Vrasje në tentativë”, ndërsa motivi i mundshëm i incidentit mbetet i panjohur. Hetimet vazhdojnë për të sqaruar rrethanat e të shtënës dhe për të identifikuar armën e dyshuar.
