Lajme

“Zgjedhjet e 7 qershorit, garë e hapur me shumë të panjohura politike”

Analisti politik Skënder Zogaj i cilëson zgjedhjet e reja të 7 qershorit si të ndërlikuara dhe, në njëfarë mënyre, edhe absurde për rrethanat në të cilat po mbahen në Kosovë.

“Zgjedhjet e reja të 7 qershorit janë komplekse, madje në njëfarë mënyre absurde, sepse po mbahen jashtë çdo standardi politiko-historik për Kosovën, e cila ende nuk e ka arritur shtetformimin e duhur dhe nuk e ka luksin të eksperimentojë me fatin e vet,” shprehet Zogaj.

Sipas tij, këto zgjedhje nuk po zhvillohen për interesa shtetërore, por si rezultat i përplasjeve politike.

Image
Analisti politik Skënder Zogaj

“Zgjedhjet po ndodhin jo për shtetin, por për inatet e liderëve politikë dhe shtetërorë, si dhe të opozitës që është e dërmuar nga anakronizmat burokratike brendapartiake,” thekson ai.

Zogaj shton se, megjithëse nuk ishin të domosdoshme, partitë politike i kanë dëshiruar në heshtje këto zgjedhje.

“Të gjitha partitë e dinë se zgjedhjet e reja nuk ishin të nevojshme, por i dëshiruan me shpresën se mund të ndodhë ndonjë ‘mrekulli’, edhe në mënyrë të pamerituar,” deklaron ai.

Duke folur për rezultatin, ai vlerëson se gjithçka mbetet e hapur.

“A do të ketë ndryshime? Këtë askush nuk mund ta thotë me saktësi. Prandaj priten zhvillime të pazakonta, sepse gara zgjedhore mbetet e mbushur me pritje të paparashikueshme,” thotë Zogaj, duke shtuar se asnjë parti nuk është në pozicion të sigurt.

Sa i përket figurave politike, ai ndalet te Vjosa Osmani, për të cilën thotë se mbetet ndër më të diskutuarat.

“Ajo ka emër, por nuk ka një strukturë të konsoliduar partiake. Fati i saj do të varet jo nga individë të veçantë, por nga qëndrimi i kundërshtarëve të LVV-së dhe nga elektorati i LDK-së,” vlerëson ai.

Zogaj thekson se vendimtar në këto zgjedhje mund të jetë një kategori e veçantë votuesish.

“Gara këtë herë do të përcaktohet nga votuesit e heshtur, nga ata qytetarë që në zgjedhjet e kaluara nuk kanë marrë pjesë, por që tani mund të japin verdiktin e tyre,” shprehet ai, duke i inkurajuar ata të votojnë “për më të merituarit”.

Në fund, ai parashikon një garë të fortë mes partive kryesore opozitare.

“Gara më interesante pritet të zhvillohet ndërmjet LDK-së dhe PDK-së, ndërsa rol të rëndësishëm do të ketë edhe rezultati i AAK-së,” përfundon Zogaj.

Të Ngjashme