Drejtori i Octopus, Agim Musliu ka reaguar pas zhvillimeve në Rusi, ku grupi Wagner po tenton të bëjë grushtshtet, duke thënë se vendndodhja e presidentit rus, Valdimir Putin mund të jetë kryeqyteti i Serbisë, Beogradi.
Ai ka kujtuar se Rusia ka strehuar gruan e kasapit të Ballkanit, Millosheviqit dhe se Vuçiq ka marrë çmimin më të lartë rus.
“Vendndodhja e #Putinit mund të jetë #Beograd. Serbia ia ka borxh këtë Rusisë. Mos harroni, ish-kreu i ushtrisë #jugosllave iku në Moskë, e po ashtu edhe gruaja e #Milosheviçit. dhe shumë të tjerë. #Vuçiq ka marrë çmimin më të lartë rus. Kush e di?!”, ka shkruar Musliu.
BBC raporton se ushtarët e Wagner kanë marrë në kontroll ndërtesa ushtarake në qytetin e Voronezhit, një qytet mes Moskës dhe Rostovit, për të cilën mercenarët pretendojnë se kanë po ashtu kontrollin.
Të shtunën, presidenti rus Vladimir Putin akuzoi shefin e Wagner, Yevgeny Prigozhin për tradhti, pasi luftëtarët e tij paraushtarakë kaluan kufirin nga Ukraina në Rusi, duke hyrë në qytetin e Rostov-on-Don.
Prigozhin akuzoi forcat ruse për sulmimin e luftëtarëve të tij, një pretendim që Moska e mohon.
Prigozhin në muajt e fundit ka akuzuar në mënyrë të përsëritur Ministrinë ruse të Mbrojtjes dhe ministrin e Mbrojtjes, Sergej Shoygu se nuk i kanë furnizuar me armë të mjaftueshme grupit të tij paraushtarak.
Wagner ka luftuar së bashku me ushtrinë e rregullt ruse në Ukrainë.
Rusia nisi “operacionin e saj special ushtarak” në Ukrainë më 24 shkurt të vitit të kaluar.