Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë ka publikuar përditësimin e fundit mbi situatën e zjarreve në vend, ku deri në orën 14:00 të kësaj të premteje janë regjistruar 16 vatra zjarri.
Sipas të dhënave zyrtare, 10 vatra vijojnë të jenë aktive, ndërsa 2 janë nën mbikëqyrje.
Në operacionet për shuarjen dhe izolimin e zjarreve janë angazhuar 240 forca ushtarake, 3 automjete zjarrfikëse, 4 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor të Forcës Ajrore.
Në Malin e Milotit, në Kurbin, vijon puna për shuarjen e zjarrit në një sipërfaqe pyjore me pisha.
Edhe në këtë zonë, sipas Ministrisë së Mbrojtjes, nuk ka rrezik për banesat.
Operacioni po zhvillohet me një automjet zjarrfikës dhe 7 efektivë të MZSH-së, 12 forca policore, 35 forca bashkiake dhe 30 efektivë të Forcave të Armatosura.
Në mbështetje të tyre janë vendosur edhe dy automjete zjarrfikëse të Forcave të Armatosura dhe një helikopter.
Në Dajt të Tiranës vijon puna për izolimin e vatrave të mbetura.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Mbrojtjes, një pjesë e tyre janë izoluar plotësisht dhe aktualisht nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Në operacion janë angazhuar 30 forca ushtarake, 13 efektivë të MZSH-së dhe 9 forca të Agjencisë së Zonave të Mbrojtura, me mbështetjen e dy helikopterëve të Forcave të Armatosura.
Në zonën Gojan–Gjegjan të Pukës, situata paraqitet aktualisht e qetë dhe nuk raportohet rrezik për banesat.
Në terren janë angazhuar 6 automjete zjarrfikëse dhe 29 efektivë të MZSH-së, 10 punonjës të Shërbimit Pyjor, 50 forca bashkiake dhe 50 vullnetarë.
Operacioni mbështetet gjithashtu nga 40 efektivë të Forcave të Armatosura, një automjet zjarrfikës dhe dy helikopterë.
Mjetet dhe forcat janë vendosur në pikat ku ekziston rreziku i riaktivizimit të zjarrit, me qëllim ndërhyrjen e menjëhershme në rast të përhapjes së flakëve.
Në Dukat të Vlorës vijon operacioni në zonën e Shatës. Vatra ka marrë shtrirje të konsiderueshme gjatë natës në drejtim të malit, por aktualisht nuk ka rrezik për banesat.
Në operacion janë angazhuar dy automjete zjarrfikëse me 9 efektivë, 8 punonjës të shërbimit pyjor dhe 12 forca të Njësisë Administrative Orikum. Në terren ndodhen edhe 40 efektivë të Forcave të Armatosura, ndërsa ndërhyrja mbështetet nga ajri me dy avionë Air Tractor.
Në vatrat e tjera të zjarrit vijojnë ndërhyrjet dhe monitorimi nga strukturat vendore dhe operacionale. Fokusi kryesor mbetet mbajtja nën kontroll e situatës dhe parandalimi i riaktivizimit të vatrave të shuara apo të izoluara./rtsh.al/
