Policia e Kosovës ka reaguar ndaj raportimeve të disa mediave serbe, të cilat pretendojnë se zjarri i përfshirë në territorin e Serbisë, në zonën e Bënjakut, është shkaktuar nga territori i Kosovës.
Policia përmes një komunikate për media i ka cilësuar këto pretendime si të pavërteta dhe dezinformuese, duke mohuar përdorimin e çfarëdo armeje nga autoritetet e Kosovës dhe duke theksuar se nuk ka asnjë të dhënë nga njësitë policore për ndonjë objekt apo mjet të hedhur nga territori i Kosovës drejt Serbisë, përcjell “Bota sot”.
Ndërkohë, thekson se Policia Kufitare se po monitoron vazhdimisht zonën kufitare, në koordinim edhe me KFOR-in, dhe u ka bërë thirrje mediave e qytetarëve që t’u referohen vetëm informacioneve zyrtare.
Komunikata e Policisë:
Policia e Kosovës, në funksion të informimit të saktë dhe parandalimit të përhapjes së dezinformatave, të cilat po qarkullojnë në disa media të ndryshme në Serbi, se kinse zjarri në territorin e Sërbisë në zonën e Bënjakut është shkaktuar nga territori i Republikës së Kosovës, duke spekuluar se kinse është përdorur një armë specifike e cila shfrytëzohet vetem për hudhjen e topave të zjarrit, reagon ndaj këtyre shkrimeve të pavërteta dhe sqaron se:
Dezinformata dhe shkrime të tilla të pavërteta nga Serbia të orientuara ndaj Kosovës ka pasur edhe në të kaluarën, e të cilat përdoren me qëllime të caktuara, me synimin që para faktorit ndërkombëtar ta nxjerrin Republikën e Kosovës fajtore për çdo dukuri negative që ndodhë kryesisht në zonën kufitare me Kosovën.
Me qëllim të njoftimit të drejtë të qytetarëve të Republikës së Kosovës por edhe me gjërë, ju bëjmë me dije se asnjë lloj armë e tillë siq është paraqitur në media nuk është përdorur nga autoritetet e Republikës së Kosovës, dhe nuk ka asnjë njoftim nga njësit e Policisë së Kosovës se kanë vërejtur diqka të tillë që është hedhur nga territori i Republikës së Kosovës në territorinë e Serbisë.
Policia e Kosovës me theks të veqantë Policia Kufitare në vazhdimësi është duke patrulluar dhe monitoruar situatën në zonën kufitare, në raste të caktura patrullimi bëhet edhe me njësit e KFOR-it, dhe të njëtat njësi do të reagojnë në çdo rast kur vlerësohet e nevojshme për qytetarët dhe faktorët tjerë relevant në teren.
Po ashtu institucionet e Republikës së Kosovës do të hetojnë çdo rast për të cilin mund të ketë të dhëna se është shkaktuar nga faktori njeri, pavarsisht në cilën zonë apo vend shkaktohet rreziku.
Policia e Kosovës u bën thirrje qytetarëve dhe mediave që të mbështeten vetëm në informacionet zyrtare dhe të shmangun përhapjen e pretendimeve të pakonfirmuara, veçanërisht kur ato mund të ndikojnë në perceptimin e sigurisë dhe të krijojnë shqetësime të panevojshme në opinion.
