Aktuale

Zjarri te pallati, policia hap kamerat: Shkak, pakujdesia e disa të miturve

Zjarri që përfshiu një pallat 12-katësh në rrugën e Dibrës, pranë zonës së njohur si “Farmacia 10”, dyshohet të jetë shkaktuar nga pakujdesia e të miturve. Gazetari i Klan News, Besar Bajraktaraj raporton se grupi hetimor ka administruar pamjet e kamerave të sigurisë të disa bizneseve përreth dhe në video shfaqen 5 fëmijë të mitur që qëndrojnë për disa minuta në pjesën e pasme të marketit.

Më pas, dy prej tyre largohen duke mbajtur në duar një objekt të paqartë (dyshohet të jetë bisht cigareje) të cilin e hedhin mbi disa kuti kartoni të vendosura jashtë marketit dhe largohen. Vetëm pak minuta më vonë, në të njëjtin vend shfaqet tym, që shumë shpejt shndërrohet në flakë, dhe përhapet me shpejtësi në fasadën e pallatit dhe duke shkaktuar dëme të shumta.Policia ka arrestuar katër persona, të dyshuar për veprat penale “shkatërrim i pronës nga pakujdesia” dhe “shkelje e rregullave të mbrojtjes në punë”. Ndërkohë, katër persona të tjerë janë proceduar penalisht dhe janë nën hetim. Të arrestuarit nuk kanë pranuar akuzat dhe janë shprehur se nuk kanë lidhje me zjarrin.

Nga flakët që përfshinë pallatin, ditën e martë, 14 prill, u shkrumbuan 30 apartamente, kurse 11 persona u dërguan në spital.

Ditën e djeshme, 15 prill, kompania “Arlis” reagoi zyrtarisht duke thënë se nuk mban asnjë lloj përgjegjësie ligjore, por megjithatë do të rindërtojë apartamentet e djegura.

Më herët, po dje, reagoi edhe kryeministri Edi Rama, i cili me anë të një postimi në rrjetet sociale tha se godina e dëmtuar do të rindërtohet plotësisht nga vetë ndërtuesi, duke theksuar se, sipas të dhënave paraprake, shkaku i zjarrit nuk lidhet me cilësinë e ndërtimit.

Ndërkaq, u vunë në pranga administratori i pallatit me inicialet A.C, si dhe menaxherja e supermarketit me inicialet R.S. Supermarketi ndodhej në katin përdhe të këtij pallati, dhe nga aty dyshohen se kanë nisur flakët.

Po ashtu në pranga janë vënë edhe inxhinieri me inicialet E.A i kompanisë “Arlis” si dhe A.F, administratori i kompanisë (kontraktori) që ka bërë fasadat e ndërtesës. Ndërkohë është shpallur në kërkim edhe pronari i kompanisë së ndërtimit, me inicialet A.L.

Të Ngjashme