Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Zv.ministri i Arsimit për mosblerjen e librave: Janë të papranueshme çmimet

Zëvendësministri Taulant Kelmendi, në konferencën ku u njoftua se këtë vit ministria e Arsimit nuk do t’i sigurojë librat për nxënësit e fillore, tha se çmimet e ofertuar nga shtëpitë botuese ishin të papërballueshme për buxhetin.

Pas reagimeve për vendimin që librat të blihen vetë nga prindërit, e më pas të rimbursohen, Zv.ministri Kelmendi ka dalë me një deklarim shtesë.

Ai thotë se nuk do të lejohen çmimet abuzuese dhe të paarsyeshme të librave.

“Në 5 vitet e fundit janë shpenzuar afër 52 milionë euro për blerjen e teksteve shkollore nga shtëpitë botuese.

Janë të papranueshme, të paarsyeshme dhe abuzuese çmimet e librave 27 e 30 euro. Sigurisht kjo nuk do të lejohet në qeverisjen tonë”, ka shkruar ai.

Ai thotë se “përveç përmirësimit të cilësisë së teksteve, ne po angazhohemi të ndalet abuzimi me buxhetin e shtetit”.

Çështja e blerjes së librave shkollorë ka nxitur reagime në vend. Kelmendi thotë se pati “reagime të pritshme nga grupet e interesit për të mbrojtur abuzimet me tekstet shkollore”.