Në zgjedhjet lokale të 2027 qytetarët shqiptarë do të votojnë sipas hartës së re territoriale. Bashkëkryetari socialist i Komisionit të Reformës Administrativo-Territoriale, Arbjan Mazniku, tha se harta synohet të miratohet deri në tetorin e këtij viti.
Mazniku tha se mund të bëhet bashkimi i Bashkisë së Prrenjasit me atë të Librazhdit. Kur u pyet nëse Rinasi do i bashkohej Bashkisë së Tiranës, Mazniku nuk dha një përgjigje të drejtpërdrejtë, por e la të hapur mundësinë.
“Sot ne po vijojmë punën për këtë draft. Ne kemi dëgjuar të enjten ekspertët, të cilët kanë prezantuar një raport të detajuar, i cili është tashmë publik. Ai raport ka shumë të dhëna të rëndësishme ekonomike, financiare dhe për mënyrën sesi funksionojnë bashkitë”, u shpreh Mazniku. Nga ana tjetër, Mazniku sqaroi se do të kërkojë edhe 1 vit kohë për të përfunduar të gjithë legjislacionin përmes së cilit do të funksionojnë bashkitë e reja.
”Ne kemi propozuar, duke qenë se jemi të lidhur me elementin e datës së zgjedhjeve në vitin 2027, ku në nëntor Presidenti duhet të shpallë zgjedhjet, që do të thotë që në tetor është afati i mundshëm për të miratuar në Parlament këtë reformë, që të kemi kohë që Presidenti të shpallë zgjedhjet me hartën e re.
Ndërkohë që për 3 elementë të tjerë, elementin e funksioneve dhe kompetencave të bashkive, elementin e financave të bashkive dhe elementin e rajonalizimit, ne besojmë dhe ky është propozimi që do i bëjmë seancës, që duhet të vijojë puna edhe për një vit tjetër, deri në korrikun e vitit 2027, pasi nuk kemi limite fizike kohore për ta mbaruar atë punë dhe mund të marrim gjithë kohën e nevojshme për ta mbaruar atë punë. Do të marrim kohën që të bëjmë të mundur që njësitë administrative të bashkive, të kenë një rol më të fortë për t’u ofruar shërbimin qytetarëve”, tha Mazniku.
