Aktuale

10 bashkitë që mund të mos jenë më

Harta territoriale e Shqipërisë pritet të pësojë ndryshime të reja, ku synimi është që në zgjedhjet vendore të vitit 2027 vendi të mos ketë më shumë se 50 bashki.

Nisma po shtyhet përpara nga Partia Socialiste, e cila synon të finalizojë reformën edhe pa konsensus me opozitën, nëse nuk arrihet një marrëveshje politike. Analiza e ekspertëve të angazhuar nga mazhoranca identifikon 14 bashki që konsiderohen më të ekspozuara për bashkim, bazuar në tregues ekonomikë, financiarë, funksionalë dhe demografikë.

Ndryshimet pritet të prekin kryesisht qarqet e Gjirokastrës, Beratit, Elbasanit, Shkodrës dhe Fierit, ndërsa në diskutim mbetet edhe Tirana. Raporti parashikon trajtim të veçantë për tre bashki me status minoritar.

Edhe pse këto njësi kanë tregues të dobët, ekspertët argumentojnë se ato nuk duhet të preken për shkak të rëndësisë historike, kulturore, identitetit të pakicave kombëtare dhe kërkesave të paraqitura gjatë dëgjesave publike.

Dokumenti evidenton gjithashtu se jo çdo problem zgjidhet përmes ndryshimit të kufijve administrativë.

Si shembuj përmenden Tropoja, Fushë-Arrëzi dhe Himara, ku sfidat lidhen më shumë me distancat gjeografike dhe aksesin ndaj shërbimeve sesa me organizimin territorial. Mazhoranca i ka lënë afat opozitës deri më 23 korrik për t’u bërë pjesë e procesit.

Nëse kjo nuk ndodh, socialistët synojnë ta çojnë për miratim reformën në fillim të tetorit, duke siguruar shumicën e nevojshme prej 84 votash në Kuvend.

Të Ngjashme