Aktuale

10 vite më parë iu vra vëllai/ Prelë Qosaj padi policisë për shtëpinë, kërkon dëmshpërblim për ngjarjen e Torovicës

Mbasi ka akuzuar për vite me radhë policinë e shtetit se hyri në shtëpi pa ndjekur protokollin, Prelë Qosaj, vëllai i të dënuarit të përjetshëm David Qosaj ka paditur në krye të dhjetë viteve nga ngjarja e Torovicës policinë shqiptare.

Top Channel mëson se padia është dorëzuar në gjykatën administrative të Tiranës dhe si paditës është Prelë Qosaj, i cili kërkon të dëmshpërblehet nga policia vendore e Lezhës, forcat e ndërhyrjes së shpejtë dhe forcat RENEA për djegien e banesës gjatë operacionit.

Duke ju referuar ekspertizës financiare private paditësi kërkon ti paguhen nga policia shqiptare 17 milionë lekë, ndërkohë që gjykata ka kërkuar ekspertë të tjerë që do të duhet të flasin për shkaqet se e zjarrit në banesën që u rrethua në 2 shtator 2016, për afro 5 orë në një aksion të nisur nga një telefonatë anonime e cila u ankua se fqinji David Qosaj kishte armë dhe siç e përshkroi denoncuesi në sallën operative ai ishte agresiv, kishte probleme mendore dhe kishte gjuajtur me armë nga shtëpia e tij. 46 vjeçari jetonte i vetëm dhe gjatë shkëmbimit me armë zjarri vrau efektivin Ardian Kodra, dëshmor i atdheut.

Në një betejë gjyqësore ku avokatët këmbëngulnin se i riu kishte probleme të shëndetit mendor, aktet psikiatrike e hodhën poshtë këtë version duke sjellë dënimin e Qosaj burgim të përjetshëm, për vrasjen e oficerit Ardian Kodra.

Megjithëse pati një hetim administrativ për fazat e ndërhyrjes në shtëpinë private në Torovicë të Lezhës, u dol në përfundimin se policia nuk e kishte shkelur protokollin. Por përgjatë një dekadë i vëllai i të dënuarit të përjetshëm ka akuzuar se policia nuk njoftoi me megafonë, nuk negocioi me të riun për të cilin kishte të dhëna se vuante nga depresioni dhe e rrethuan shtëpinë me oficerë civile që nuk kishin rroba të dallueshme me logot e policisë.

Për çështjen penale gjykata kushtetuese nuk ka pranuar ta shqyrtojë kërkesën e avokatëve të të dënuarit të përjetshëm, dhe nuk e ka kaluar në seancë plenare. Mbrojtja kërkoi shpalljen si antikushtetues të dënimeve ndërsa këmbëngul se të pandeurit nuk ju krye kontrolli i duhur psikiatrik./Top Channel

Të Ngjashme