Në 118-vjetorin e Kongresit të Manastirit, Qeveria e Kosovës nderon veprën e atdhetarëve dhe intelektualëve që e bënë alfabetin e përbashkët të shqipes themel të përbashkimit kombëtar dhe përparimit arsimor e kulturor.
Me mirënjohje Qeveria e Kosovës kujton Mithat Frashërin, kryetar të Kongresit, Gjergj Fishtën, kryetar të Komisionit të Alfabetit, si dhe Parashqevi Qiriazin, Luigj Gurakuqin, Ndre Mjedën, Shahin Kolonjën, Gjergj Qiriazin dhe delegatët e tjerë.
Po ashtu, qeveria nderon përkushtimin e Sevastie Qiriazit e të familjes Qiriazi, punën e klubit “Bashkimi” të Manastirit dhe të shoqërive e klubeve shqiptare që mundësuan këtë vepër historike.
“Kongresi dëshmoi fuqinë e organizimit dhe të dijes në shërbim të lirisë. Dallimet u kapërcyen në emër të një qëllimi të përbashkët që shqiptarët të mësonin, të shkruanin dhe të ndërtonin të ardhmen në gjuhën e tyre.
Përgjegjësia jonë është ta vazhdojmë këtë punë me arsim publik cilësor, me mbështetje për mësimdhënësit, librin dhe shkencën, me ngritje të mësimdhënies e mësim-nxënies, me kujdes për shqipen në institucione dhe me mundësi të qëndrueshme për mësimin e saj në mërgatë.
Bashkimi që u ndërtua përmes shkronjave duhet të thellohet përmes dijes dhe mundësive të barabarta për çdo brez”.
Kongresi i Manastirit ose Kongresi i Alfabetit ka qenë një konferencë akademike në qytetin e Manastirit, mes datave 14 nëntor dhe 22 nëntor 1908, për standardizimin e alfabetit të gjuhës shqipe. Përpara kongresit, gjuha shqipe përfaqësohej prej gjashtë ose më shumë alfabetesh, pa llogaritur nënvariantet.
