Lajme

​14 vjet nga lirimi në Hagë, Brahimaj: Sot shënojmë pafajësinë time, Ramushit e Idrizit, uroj të lirohen edhe ish-krerët e UÇK-së

Gjykata e Hagës 14 vjet më parë liroi nga të gjitha akuzat ish-luftëtarët e UÇK-së Ramush Haradinaj, Lahi Brahimaj dhe Idriz Balaj.

Lahi Brahimaj ka thënë se shpallja e tyre nga gjykata të pafajshëm në vitin 2012, paraqet një datë të rëndësishme për të gjithë shqiptarët.

“Pas festës së 28 Nëntorit, sot shënojmë pafajësinë time, të Ramushit dhe të Idrizit në Hagë. Për mua, ajo mbetet një kujtim i veçantë i një rrugëtimi të vështirë, në të cilin qëndrova i palëkundur në mbrojtje të së vërtetës, lirisë dhe dinjitetit të popullit tim”.

Brahimaj ka uruar që edhe ish-krerët e UÇK-së që ndodhen sot në Hagë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, do të shpallen të pafajshëm në procesin e apelit dhe do t’u japin edhe më shumë kuptim festave të Nëntorit.

“Krenar për rrugëtimin tim dhe për të gjithë ata që qëndruan pranë meje”, ka thënë Ibrahimaj.

Të Ngjashme