Pas më shumë se katër muajsh protestash në Tiranë, qytetarët u mblodhën edhe sot në kryeqytet, duke kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama dhe të qeverisë së tij.
Protesta e ditës së 114-të nisi në sheshin “Skënderbej”, ku qytetarët u mblodhën pas orës 18:30, për të vijuar më pas në marshim drejt Kryeministrisë.
Sipas mediave shqiptare, me flamuj kombëtarë dhe pankarta në duar, protestuesit hodhën një sërë thirrjesh kundër qeverisë, mes tyre “Rama jep dorëheqjen”, “Ju erdhi fundi”, “Shqipëri e re” dhe “Rama në burg, Berisha në burg”.
Marshimi vijoi përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, ndërsa përpara godinës së Kryeministrisë protestuesit vijuan me thirrje dhe fjalime, duke njoftuar edhe një tjetër tubim ditën e enjte, këtë herë përpara Kuvendit.
Gjatë fjalimeve, aktivistja Sidorela Vatnikaj tha se protesta ka bashkuar qytetarë përtej ndasive politike, ndërsa kritikoi mënyrën se si, sipas saj, pushteti është përballur me protestuesit.
“Shqiptarët janë bashkuar në këtë shesh përtej çdo ndasie. Bashkimi kundër korrupsionit dhe krimit është i vetmi që mund të bëjë ndryshimin në Shqipëri”, u shpreh Vatnikaj.
Ajo rikujtoi edhe nisjen e protestës, duke thënë se ajo filloi pas një episodi dhune ndaj një protestuesi në Zvërnec.
“Kjo protestë nisi me shkakun e dhunës së ushtruar në Zvërnec ndaj një protestuesi! Ne distancohemi nga çdo formë intimidimi e dhune që ndodh në protestë ose jashtë saj. Në 114 ditë kërkesat tona jo vetëm që nuk janë plotësuar, por janë shtuar!”, tha aktivistja.
Në fjalimet para Kryeministrisë u përmend edhe çështja e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Aktivisti Edison Lika e cilësoi këtë çështje si një test për Reformën në Drejtësi.
Ai bëri thirrje për mobilizim të qytetarëve në rast se çështja e imunitetit të Ballukut do të rikthehet për votim në Kuvend.
“Reforma në drejtësi do vendoset nëse është e suksesshme nëse jepet apo jo imuniteti i Belinda Ballukut”, tha Lika.
Në protestë foli edhe aktorja Egla Ceno, e cila akuzoi qeverinë për presion ndaj qytetarëve që marrin pjesë në protesta.
“Kjo qeveri duhet të zhduket. Këtu janë shqiptarë të ndershëm, ne nuk jemi për kapriço këtu në shesh. Ne kërkojmë dinjitet”, deklaroi Ceno.
Ajo shtoi se protestuesit duhet të qëndrojnë të bashkuar.
“Ky kancer që quhet Edi Rama, ky njeri i neveritshëm duhet të mbathë atletet e neveritshme dhe të shporret, se na lodhi shpirtin. Mos u ndani e mos u përçani”, tha Ceno.
Ndërkohë, organizatorët kanë bërë thirrje për vijimin e protestave dhe të marshimeve në kryeqytet.
Qëndresa e përditshme, sipas tyre, do të vijojë edhe në ditët në vazhdim, ndërsa kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit mbetet në qendër të tubimeve.
