Aktuale

20 vite në Shqipëri, por shqipja mbetet pengesë për komunitetet e huaja/ BIRN: Të huajt nuk mësojnë shqip, vendasit flasin italisht

Në Durrës jetojnë prej vitesh komunitete të huaja, por shumë prej tyre nuk e mësojnë gjuhën shqipe, ndonëse janë integruar në punë dhe jetën e përditshme.

Një pjesë e mirë e tyre janë peshkatarë nga Egjipti dhe Turqia, të cilët punojnë në këtë sektor prej dekadash. Hasan Ebif është një prej tyre dhe jeton në Durrës prej rreth 20 vitesh.Djali i tij po përgatitet të marrë shtetësinë shqiptare dhe për këtë duhet të kalojë provimin e gjuhës dhe historisë.

Megjithatë, edhe pse jetojnë gjatë në Shqipëri, shumë nga këta punëtorë kanë vështirësi me gjuhën. Arsyeja lidhet edhe me mungesën e kurseve dhe me faktin që në përditshmëri komunikojnë më shumë me gjeste ose me fjalë të thjeshta.

Një situatë e ngjashme shihet edhe te komuniteti i pensionistëve nga Italia, të cilët janë vendosur në qytet vitet e fundit. Shumica nuk kanë interes të mësojnë shqip, edhe sepse komunikimi u lehtësohet nga fakti që shumë vendas flasin italisht.

Ka edhe përjashtime. Disa prej tyre kanë ndjekur kurse private për të mësuar gjuhën, kryesisht për të kuptuar më mirë jetën dhe kulturën në vend.Ndërkohë, të rinjtë shqiptarë po orientohen gjithnjë e më shumë drejt gjuhëve të huaja, sidomos anglishtes. Kjo lidhet me mundësitë për punë, sidomos në turizëm dhe në sektorë si call center. Në qytet funksionojnë disa qendra kursesh ku mësohen edhe gjuhë të tjera si spanjisht apo gjermanisht.

Me afrimin e verës, prania e të huajve bëhet edhe më e dukshme. Turistët shtohen dhe në shëtitoren buzë detit dëgjohen gjithnjë e më shumë gjuhë të ndryshme, duke e kthyer qytetin në një hapësirë shumëgjuhëshe.

Të Ngjashme