Qeveria e Kosovës ka paraparë mbi 224 milionë euro për Ministrinë e Mbrojtjes në projektbuxhetin për vitin 2027, ndërsa buxheti i përgjithshëm i shtetit arrin në 4.27 miliardë euro.
Rritja dhe forcimi i kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës vjen në një kohë kur lufta në Ukrainë po ndryshon mënyrën se si shtetet e konceptojnë sigurinë dhe organizimin ushtarak.
Lidhur me rëndësinë e investimeve në mbrojtje dhe mësimet që Kosova duhet të nxjerrë nga zhvillimet e luftës në Ukrainë, për gazetën “Bota sot”, ka folur profesori, doktor Sadri Ramabaja.
Ai vlerëson se Kosova nuk duhet ta kufizojë modernizimin e ushtrisë vetëm te blerja e armatimit, por duhet të ndërtojë një doktrinë të re mbrojtëse, të përshtatur me karakterin e një shteti të vogël dhe me sfidat e sigurisë në shekullin XXI.
Sipas Ramabajës, lufta në Ukrainë ka dëshmuar se fuqia ushtarake nuk përcaktohet vetëm nga numri i ushtarëve dhe sistemet e armatimit, por edhe nga teknologjia, inteligjenca, logjistika dhe aftësia për t’u përshtatur me zhvillimet në fushëbetejë.
“Lufta në Ukrainë nuk po ndryshon vetëm sistemet e armatimit, mënyrën e përdorimit të forcës apo strukturën e fushëbetejës. Mbi të gjitha, po detyron shtetet të rishikojnë doktrinat mbi të cilat mbështetet mbrojtja e tyre. Kjo e bën të pashmangshme pyetjen për Kosovën: A është koncepti ynë aktual i mbrojtjes i përshtatur me luftën që po lind para syve tanë? Kjo nuk është thjesht çështje e numrit të ushtarëve, të mjeteve të blinduara apo të dronëve që mund të blihen. Është çështje doktrine”, ka deklaruar Ramabaja.
Profesori thekson se Kosova, si shtet me territor dhe burime të kufizuara, nuk mund të ndjekë të njëjtin model të zhvillimit ushtarak sikurse fuqitë e mëdha.
Sipas tij, vendi duhet të ndërtojë një sistem mbrojtës asimetrik, i cili do të përfshinte shpërndarjen e kapaciteteve, teknologjinë, fleksibilitetin dhe aftësinë për t’iu përshtatur shpejt rrethanave të reja.
“Një shtet i vogël nuk mund ta fitojë garën e armatimeve në të njëjtën mënyrë si një fuqi e madhe. Por ai mund të ndërtojë një doktrinë asimetrike të mbrojtjes. Qëllimi duhet të jetë krijimi i një sistemi mbrojtjeje që e pengon agresionin, e rrit koston e tij, e shpërndan fuqinë mbrojtëse dhe e bën të vështirë neutralizimin e shtetit”, është shprehur ai.
Ramabaja vlerëson se një rëndësi të veçantë në doktrinën e re duhet të kenë edhe dronët, inteligjenca artificiale, lufta elektronike dhe sistemet e mbrojtjes kundër mjeteve pa ekuipazh.
Ai thekson se nuk mjafton vetëm blerja e këtyre pajisjeve, por duhet të ekzistojë një sistem që mundëson integrimin e teknologjisë në operacionet ushtarake.
“Ushtria e së ardhmes nuk do të matet vetëm me numrin e mjeteve që posedon, por edhe me shpejtësinë me të cilën ajo mëson dhe përshtatet. Droni nuk është doktrinë. Droni është produkt i një doktrine që e kupton teknologjinë, informacionin dhe adaptimin si pjesë të fuqisë luftarake”, ka deklaruar profesori.
Një tjetër element që Ramabaja e konsideron të domosdoshëm është ndërtimi i një sistemi kombëtar të rezistencës, ku përveç FSK-së, rol të rëndësishëm kanë institucionet civile, infrastruktura kritike, ekonomia dhe shoqëria.
Sipas tij, lufta moderne ka dëshmuar se objektiva strategjike mund të jenë edhe energjia, komunikimet, spitalet, transporti dhe furnizimi ushqimor, prandaj shteti duhet të jetë në gjendje të funksionojë edhe në situata të rënda krize.
“Një shtet i mbrojtshëm është ai që ka institucione legjitime, kohezion shoqëror, kapacitet të besueshëm ushtarak, infrastrukturë rezistente, ekonomi që mund të përballojë krizën, komunikime të sigurta, kapacitete teknologjike dhe partneritete ndërkombëtare. Dhe, mbi të gjitha, ka një shoqëri që beson se shteti që po mbron ia vlen të mbrohet”, ka theksuar ai.
Në këtë drejtim, profesori nënvizon edhe rëndësinë e partneritetit me NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke vlerësuar se bashkëpunimi me aleatët duhet të shoqërohet me zhvillimin e kapaciteteve vendore.
Në fund, Ramabaja thekson se investimet në armatim duhet të shoqërohen me një vizion të qartë për mbrojtjen e vendit, pasi vetëm kështu Kosova mund të ndërtojë një sistem të qëndrueshëm dhe të aftë për t’iu përgjigjur sfidave të sigurisë.
“Duhet të ndërtojmë doktrinën që kërkon lufta e re. Një doktrinë që e merr seriozisht avantazhin asimetrik të shtetit të vogël, që e shndërron teknologjinë në kapacitet, që e lidh FSK-në me sistemin kombëtar të rezistencës dhe që e sheh aleancën euroatlantike jo si zëvendësim të fuqisë kombëtare, por si shumëzues të saj”, ka përfunduar Ramabaja.
