23 zyrtarë korrektues nga Kosova, të cilët më herët kanë ndjekur trajnime profesionale në Danimarkë, kanë filluar këtë javë punën në tri burgje daneze: Ringe, Vestre dhe Storstrøm.
Ata do të qëndrojnë në këto institucione për gjashtë muaj, ku do të jenë pjesë e stafit të rregullt, do të kryejnë shërbimin në pavijone dhe do të lëvizin në mënyrë të pavarur në korridoret e burgjeve.
Megjithatë, kjo skemë kishte nxitur kundërshtime nga Sindikata e Zyrtarëve Korrektues në Danimarkë që në vitin 2024, kur politikanët vendosën që një grup zyrtarësh nga Kosova të trajnoheshin në burgjet daneze.
Asokohe, ish-kryetari i sindikatës, Bo Yde Sorensen, kishte paralajmëruar kundër angazhimit të tyre në pavijonet e burgjeve.
“Ne në asnjë rrethanë nuk duhet t’i kemi ata në korridoret e burgjeve tona me tufën e tyre të çelësave”, kishte deklaruar ai.
Pavarësisht këtij kundërshtimi, 23 zyrtarët nga Kosova tashmë kanë filluar punën në burgjet daneze.
Institucioni përgjegjës për burgjet në Danimarkë e ka konfirmuar angazhimin e tyre, duke e cilësuar si pjesë të procesit të trajnimit dhe përgatitjes për funksionalizimin e burgut të ri që pritet të hapet në Gjilan.
Guvernatori Mads Beyer, i cili do të jetë përgjegjës për burgun e ardhshëm në Gjilan, ka shpjeguar arsyet e këtij angazhimi.
“Është pjesë e planit të trajnimit që është hartuar për t’u përgatitur për funksionimin e burgut që do të hapim më vonë në Gjilan të Kosovës”, ka deklaruar Beyer.
I pyetur nëse zyrtarët do të ishin angazhuar sërish në Danimarkë edhe nëse burgjet nuk do të përballeshin me mungesë të personelit dhe numër të madh të të burgosurve, ai ka pranuar se edhe kjo situatë ka ndikuar.
“Është e vërtetë se kjo, natyrisht, është gjithashtu një pjesë e madhe e kësaj”, ka thënë ai.
Ndryshe nga viti 2025, kur zyrtarët ndiqnin trajnimet duke shoqëruar kolegët danezë, kësaj radhe ata do të përfshihen në oraret e rregullta të punës dhe do të kryejnë shërbimin së bashku me kolegët danezë.
“Javët e para ata ndoshta do të punojnë së bashku me një koleg danez, por përndryshe qëllimi është që të hyjnë në shërbim së bashku me kolegë të mirë dhe me përvojë nga Danimarka”, ka deklaruar Beyer.
Sindikata daneze: Ky ishte shqetësimi ynë dhe tani po bëhet realitet
Angazhimi i zyrtarëve nga Kosova vjen në një kohë kur burgjet daneze po përballen me mbipopullim historik.
Gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti, burgjet në Danimarkë kanë shënuar nivelin më të lartë të mbingarkesës, duke pasur më shumë të burgosur sesa kapacitetet e tyre zyrtare.
Kryetari i ri i Sindikatës së Zyrtarëve Korrektues, René Larsen, ka shprehur shqetësimin se rikthimi i zyrtarëve në burgjet daneze lidhet edhe me vështirësitë që po përjeton sistemi korrektues në këtë shtet.
“Ky ishte shqetësimi ynë dhe tani po bëhet realitet. Mund ta shoh se kjo do të sjellë disa vështirësi”, ka deklaruar Larsen.
Ai ka theksuar se sindikata do të preferonte që problemet me mungesën e personelit të zgjidheshin përmes rekrutimit dhe mbajtjes së zyrtarëve danezë në punë.
“Sigurisht, mund të thuhet se kjo është më mirë sesa asgjë, por, gjithsesi, ne do të preferonim të arrinim qëllimin përmes rekrutimit dhe mbajtjes së personelit, si dhe uljes së mungesave në punë për shkak të sëmundjeve. Pikërisht për këtë bëhet fjalë”, ka deklaruar ai.
Larsen ka vënë në pikëpyetje edhe mundësinë që trajnimi i mëhershëm i zyrtarëve të jetë i mjaftueshëm për t’i përgatitur ata për punën në burgjet daneze.
“Po, ata kanë qenë këtu për gjashtë muaj. Tre muaj ndjekje të mësimit dhe tre muaj praktikë. Por kjo nuk e ndryshon faktin se ata vijnë nga një shtet tjetër, me një kulturë tjetër, rregulla dhe sisteme të tjera, si dhe nuk e flasin gjuhën”, ka thënë Larsen.
Sipas tij, pengesa gjuhësore dhe dallimet kulturore mund të ndikojnë drejtpërdrejt në punën me të burgosurit.
Danimarka mbron angazhimin e zyrtarëve, përmendet edhe rasti i dyshimit për dhunë
Një tjetër çështje që ka ngritur pikëpyetje është rasti i ndodhur më herët gjatë këtij viti, kur dy zyrtarë korrektues nga Kosova u dyshuan për ushtrim dhune ndaj një të burgosuri gjatë periudhës së trajnimit në burgun Vestre.
Guvernatori Mads Beyer ka thënë se rasti është marrë seriozisht dhe se institucionet kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme.
“Po, mund ta kuptoj shumë mirë këtë. Është e qartë se kur ndodh një incident i tillë, ne e marrim shumë seriozisht. Ajo që bëjmë është të reagojmë sa më vendosmërisht që të jetë e mundur dhe t’ia përcjellim rastin policisë”, ka deklaruar Beyer.
Megjithatë, ai ka këmbëngulur se përvojat e përgjithshme me zyrtarët kanë qenë pozitive.
I pyetur nëse është dështim që Danimarka është detyruar të mbështetet te zyrtarët korrektues nga Kosova, Beyer nuk e ka cilësuar një gjë të tillë si të tillë.
“Nuk e di nëse është dështim. Ajo që është e rëndësishme për mua në punën time është se po përgatitemi për hapjen e një burgu në Kosovë. Për këtë më nevojitet personel dhe ata duhet të trajnohen. Fakti që mund t’ua ofroj kolegëve të mi në burgjet e tjera të Danimarkës si një përforcim konkret, mendoj se është vetëm pozitive”, ka përfunduar ai.
