28 Nëntori, përtej simbolikës së bashkimit kombëtar, rikthen në vëmendje edhe sfidat me të cilat përballen shqiptarët që jetojnë jashtë kufijve të Kosovës dhe Shqipërisë. Në Maqedoninë e Veriut, Luginën e Preshevës dhe Malin e Zi, çështjet e përfaqësimit politik, përdorimit të gjuhës shqipe, zhvillimit ekonomik dhe barazisë institucionale vazhdojnë të mbeten ndër temat me rëndësi të veçantë.
Ndonëse këto tri hapësira kanë rrethana të ndryshme politike, juridike dhe institucionale, shqiptarët përballen me sfida që lidhen me mbrojtjen e të drejtave, ruajtjen e identitetit kombëtar dhe krijimin e mundësive të barabarta për zhvillim.
Në këtë kontekst, rëndësi të veçantë merr edhe roli i përfaqësuesve politikë shqiptarë, si dhe niveli i koordinimit me institucionet e Kosovës dhe Shqipërisë.
Për këto çështje, për gazetën “Bota sot” flasin profesori i gjuhës shqipe nga Maqedonia e Veriut, Sulejman Mehazi, dhe sociologu e publicisti nga Presheva, Nehat Hyseni. Ata trajtojnë pozitën e shqiptarëve në këto tri hapësira, përgjegjësinë e përfaqësuesve politikë dhe nevojën për një strategji më të qëndrueshme të bashkëpunimit kombëtar.
Mehazi: 28 Nëntori i bashkon shqiptarët në ndjenjë e histori, por bashkimi politik kërkon më shumë se simbolikë

Profesori i gjuhës shqipe nga Maqedonia e Veriut, Sulejman Mehazi
Profesori i gjuhës shqipe nga Maqedonia e Veriut, Sulejman Mehazi, thotë se 28 Nëntori përfaqëson një moment të bashkimit simbolik dhe kulturor të shqiptarëve, por jo domosdoshmërisht një realitet të përbashkët politik.
“Dita festive e 28 Nëntorit te shqiptarët ka kuptimin e një momenti apo dite të bashkimit simbolik dhe kulturor, sesa pasqyrë e një realiteti të përbashkët politik. Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, në Luginën e Preshevës dhe në Mal të Zi jetojnë në tri sisteme krejt të ndryshme juridike dhe politike, ndaj edhe sfidat, edhe mundësitë për t’i mbrojtur interesat e tyre, nuk janë të njëjta”, shprehet Mehazi.
Duke folur për pozitën e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, ai vlerëson se përfaqësimi në qeveri është konsoliduar, por zbatimi i politikave vazhdon të mbetet problematik.
“Në Maqedoninë e Veriut përfaqësimi i shqiptarëve në qeveri është konsoliduar, por zbatimet politike janë të brishta. Problemi kryesor i shqiptarëve në RMV nuk është mungesa e ligjit, por zbatimi i ligjit”, thekson ai.
Sipas Mehazit, përfaqësimi politik nuk garanton domosdoshmërisht ndikim real në vendimmarrje. Ai përmend si shqetësime ndarjen e pushtetit që, sipas tij, kthehet në klientelizëm partiak, përfaqësimin formal dhe pabarazitë në punësim, investime e zhvillim rajonal.
“Përfaqësimi ekziston, por kritikat më të shpeshta janë për cilësinë e tij: ndarje e pushtetit që kthehet në klientelizëm partiak, përfaqësim formal pa ndikim real në vendimmarrje strategjike, dhe pabarazi në punësim, investime dhe zhvillim rajonal”, shprehet Mehazi.
Ai nënvizon se problemet ekonomike janë ndër sfidat kryesore të shqiptarëve në këtë vend, duke përmendur papunësinë dhe largimin e të rinjve.
“Në RMV vendbanimet me shumicë shqiptare vazhdojnë të kenë papunësi të lartë, emigrim të madh të të rinjve dhe investime publike më të ulëta se mesatarja kombëtare. Kjo e bën çështjen ekonomike po aq të rëndësishme sa ajo gjuhësore apo politike”, thotë profesori.
Sa i përket Luginës së Preshevës, Mehazi vlerëson se shqiptarët përballen me kufizime të të drejtave dhe presione demografike.
“Në Luginën e Preshevës shqiptarët jo që i kanë të drejtat e kufizuara, por kanë dhe presione të jashtëzakonshme demografike. Edhe pse Lugina e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës janë shumicë shqiptare, por janë pakicë shtetërore në Serbi”, deklaron ai.
Megjithatë, Mehazi e sheh krijimin e Këshillit Kombëtar Shqiptar si një zhvillim me rëndësi për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në këto komuna.
“E mira e shqiptarëve të Luginës së Preshevës është se në kohët e fundit u formua Këshilli Kombëtar Shqiptar, që do të jetë një institucion kombëtar për të mbrojtur arsimin, kulturën, informimin dhe përdorimin zyrtar lokal të gjuhës shqipe në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë”, shprehet Mehazi.
Ndërkaq, për pozitën e shqiptarëve në Mal të Zi, profesori vlerëson se ata kanë arritur të sigurojnë ndikim politik përmes partive të tyre, pavarësisht numrit të popullsisë.
“Pozitë më të mirë të shqiptarëve jashtë Shqipërisë dhe Kosovës kanë shqiptarët e Malit të Zi, që konsiderohen si komunitet i vogël, pakicë e vogël, por pesha e partive shqiptare në Mal të Zi është e madhe”, thotë ai.
Sipas tij, partitë shqiptare në Mal të Zi kanë qenë pjesë e koalicioneve qeverisëse, ndërsa gjuha shqipe ka status zyrtar në komunat ku shqiptarët përbëjnë shumicën.
“Shqiptarët e Malit të Zi me partitë e tyre shqiptare thuajse çdoherë janë pjesë e koalicioneve qeverisëse, pra kanë ndikim disproporcional me numrin. Gjuha shqipe ka status zyrtar në komunat ku shqiptarët janë shumicë”, thekson Mehazi.
Ai shton se sfidat në këtë vend lidhen kryesisht me zhvillimin ekonomik, largimin e të rinjve dhe mbrojtjen e pronës e të identitetit kulturor.
“Sfida kryesore është mbajtja e të rinjve dhe zhvillimi i Ulqinit dhe zonave malore, si dhe mbrojtja e pronës, bregdetit dhe identitetit kulturor nga presionet e zhvillimit turistik dhe urban”, shprehet ai.
Në pjesën e prononcimit që lidhet me rolin e Kosovës dhe Shqipërisë, Mehazi vlerëson se Prishtina ka pasur angazhim më të madh në mbështetjen e shqiptarëve në rajon sesa Tirana. Ai shpreh kritika edhe ndaj qeverisë së Shqipërisë dhe kryeministrit Edi Rama.
“Sa për mbrojtjen e shqiptarëve jashtë Shqipërisë e Kosovës, më shumë ka kontribuar Qeveria e Kosovës në krye me Albin Kurtin sesa qeveria e shtetit amë në krye me Edi Ramën, që më shumë i interesonte Serbia sesa shqiptarët e RMV-së, të Malit të Zi dhe Luginës së Preshevës”, deklaron Mehazi.
Ai përmend edhe përpjekjet për bashkimin e subjekteve politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut dhe në Luginën e Preshevës, duke ia atribuuar këto angazhime Qeverisë së Kosovës.
“Qeveria e Kosovës, Albin Kurti, bashkoi partitë armiqësore të RMV-së në një parti, VLEN. Kryeministri i Kosovës po ashtu edhe gjatë zgjedhjeve parlamentare në Serbi bashkoi partitë shqiptare të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, që me këtë bashkim shqiptarët e Luginës së Preshevës fituan dy deputetë në parlamentin e Serbisë, gjersa përpjekjet bashkuese të Edi Ramës për shqiptarët jashtë Shqipërisë nuk kanë qenë dhe nuk janë askundi”, shprehet ai.
Në përfundim, profesori thekson se simbolika e 28 Nëntorit duhet të shoqërohet me veprime konkrete dhe bashkëpunim të qëndrueshëm politik.
“Pra, 28 Nëntori i bashkon shqiptarët në ndjenjë, histori dhe gjuhë. Por bashkimi politik kërkon më shumë se ndjenjë: kërkon zbatim të ligjeve ekzistuese, ekonomi që i mban të rinjtë në vendlindje, dhe një strategji të përbashkët që nuk varet nga një parti apo një lider”, përfundon Mehazi.
Ai shton se sfidat kryesore mbeten zbatimi i të drejtave, zhvillimi ekonomik dhe koordinimi ndërmjet përfaqësuesve shqiptarë në rajon dhe institucioneve të Kosovës e Shqipërisë.
“Shqiptarët në rajon nuk kanë sot problem kryesor mungesën e të drejtave në letër, por mungesën e zbatimit, mungesën e zhvillimit ekonomik dhe mungesën e një koordinimi të qëndrueshëm mes përfaqësuesve të tyre lokalë dhe dy qendrave, Prishtinës dhe Tiranës”, përfundon ai.
Hyseni: Prishtina dhe Tirana duhet të ndërtojnë strategji të përbashkët për shqiptarët në rajon

Sociologu dhe publicisti nga Presheva, Nehat Hyseni
Edhe sociologu dhe publicisti nga Presheva, Nehat Hyseni, e vlerëson 28 Nëntorin si një nga datat më të rëndësishme të historisë kombëtare, duke theksuar se kjo ditë duhet të shërbejë edhe për reflektim mbi pozitën e shqiptarëve në të gjitha hapësirat ku jetojnë.
“Por, përtej dimensionit historik dhe emocional, 28 Nëntori duhet të jetë edhe një ditë reflektimi për pozitën e shqiptarëve në të gjitha hapësirat ku jetojnë. Bashkimi ynë shpirtëror, kulturor dhe kombëtar duhet të shoqërohet edhe me bashkëpunim institucional, solidaritet politik dhe përgjegjësi të përbashkët për të ardhmen”, shprehet Hyseni.
Duke analizuar pozitën e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, ai përmend Marrëveshjen e Ohrit të vitit 2001 si një bazë të rëndësishme për avancimin e pozitës kushtetuese dhe institucionale të shqiptarëve. Megjithatë, sipas tij, zbatimi i plotë i parimeve të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat, përdorimi i gjuhës shqipe dhe barazia në institucionet shtetërore vazhdojnë të kërkojnë angazhim të vazhdueshëm.
“Barazia nuk duhet të mbetet vetëm një formulim kushtetues apo ligjor, por duhet të jetë realitet në administratë, drejtësi, arsim, polici dhe në të gjitha nivelet e vendimmarrjes”, thekson ai.
Për Malin e Zi, Hyseni vlerëson se shqiptarët kanë krijuar një traditë të rëndësishme të përfaqësimit politik dhe institucional, përfshirë pjesëmarrjen në institucionet qendrore. Megjithatë, ai thekson se mbeten sfida që lidhen me zhvillimin ekonomik të zonave shqiptare, përfaqësimin proporcional, ruajtjen e identitetit kombëtar dhe përdorimin e gjuhës shqipe.
Ndërkaq, për Luginën e Preshevës, ai thotë se pozita e shqiptarëve është më e ndërlikuar dhe paraqet një problem të veçantë politik, juridik dhe institucional. Hyseni përmend vështirësitë në përfaqësimin proporcional në institucionet shtetërore të Serbisë, përdorimin praktik të gjuhës shqipe, arsimin, njohjen e diplomave, zhvillimin ekonomik dhe integrimin institucional.
Një prej çështjeve që ai e cilëson veçanërisht shqetësuese është pasivizimi i adresave të vendbanimit, për të cilin thotë se ka pasoja në ushtrimin e të drejtave qytetare dhe në përfaqësimin real të popullsisë shqiptare.
“Për rrjedhojë, kërkesa jonë nuk është privilegj etnik dhe as cenim i sovranitetit të shteteve ku jetojmë. Është kërkesë për zbatimin e standardeve demokratike, respektimin e të drejtave të njeriut, barazinë qytetare dhe funksionimin e shtetit ligjor”, shprehet Hyseni.
Hyseni kërkon koordinim të vazhdueshëm dhe agjendë konkrete për shqiptarët në rajon
Duke folur për përgjegjësinë e përfaqësuesve politikë shqiptarë, Hyseni thotë se ata duhet të mbrojnë interesat e qytetarëve që u kanë dhënë besimin, por edhe të ndërtojnë një strategji të përbashkët për çështjet me interes kombëtar.
Sipas tij, përfaqësimi politik nuk duhet të matet vetëm me praninë e shqiptarëve në parlamentet, qeveritë apo institucionet shtetërore, por me rezultatet konkrete që arrihen në avancimin e të drejtave, zgjidhjen e problemeve të qytetarëve dhe përmirësimin e pozitës së komunitetit shqiptar.
“Koordinimi ndërmjet përfaqësuesve shqiptarë në këto tri hapësira, si dhe me institucionet e Kosovës dhe Shqipërisë, është i domosdoshëm!”, thekson ai.
Hyseni nënvizon se ky bashkëpunim duhet të jetë i strukturuar, i vazhdueshëm dhe institucional, e jo të kufizohet vetëm në aktivitetet ceremoniale gjatë festave kombëtare apo në periudha zgjedhore. Sipas tij, nevojiten komunikim i rregullt, konsultime politike dhe mekanizma të përbashkët për çështjet e arsimit, gjuhës, përfaqësimit, zhvillimit ekonomik dhe mbrojtjes së identitetit kombëtar.
Sa i përket rolit diplomatik të Kosovës dhe Shqipërisë, Hyseni vlerëson se të dy shtetet kanë përgjegjësi të veçantë për të qenë zë institucional i të drejtave legjitime të shqiptarëve në rajon.
Ai përmend disa hapa të ndërmarrë nga Kosova për ngritjen e çështjes së shqiptarëve të Luginës së Preshevës në komunikimin me institucionet evropiane, si dhe krijimin e mekanizmave mbështetës financiarë, arsimorë dhe kulturorë. Edhe Shqipëria, sipas tij, i ka trajtuar këto çështje në kuadër të diplomacisë së saj, por sfida mbetet shndërrimi i angazhimit në politikë afatgjatë dhe me rezultate të matshme.
“Nuk mjaftojnë vetëm deklaratat politike. Nevojitet një diplomaci aktive, profesionale dhe këmbëngulëse, e cila i kthen problemet e shqiptarëve në agjendë të qëndrueshme ndërkombëtare”, thekson Hyseni.
Ai kërkon që Prishtina dhe Tirana t’i përdorin më shumë mekanizmat diplomatikë në Bashkimin Evropian, Këshillin e Evropës, OSBE dhe Kombet e Bashkuara, duke i trajtuar çështjet e të drejtave të shqiptarëve përmes dokumentimit të fakteve, raporteve profesionale dhe kërkesave konkrete.
Në fund, Hyseni propozon që Kosova dhe Shqipëria të ndërtojnë një strategji të përbashkët kombëtare për shqiptarët në rajon, në konsultim të drejtpërdrejtë me përfaqësuesit politikë dhe institucionalë të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, Luginën e Preshevës dhe Malin e Zi.
Ai veçon pesë prioritete kryesore: avancimin e përfaqësimit institucional dhe pjesëmarrjes efektive në vendimmarrje; mbrojtjen e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe dhe arsimit cilësor në gjuhën amtare; krijimin e programeve për investime, punësim dhe infrastrukturë; mbështetjen e të rinjve dhe diasporës përmes bursave e programeve të shkëmbimit; si dhe ngritjen sistematike të çështjeve të shqiptarëve në institucionet evropiane dhe ndërkombëtare.
Veçanërisht për Luginën e Preshevës, ai kërkon një qasje më strategjike dhe afatgjatë, duke theksuar se pa zhvillim ekonomik, investime dhe perspektivë për të rinjtë, ruajtja e substancës kombëtare dhe demografike do të bëhet gjithnjë e më e vështirë.
Duke përmbyllur prononcimin e tij, Hyseni thekson se 28 Nëntori duhet të jetë jo vetëm festë e flamurit, por edhe ditë e përgjegjësisë kombëtare, politike dhe institucionale.
“Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, Luginën e Preshevës dhe Malin e Zi nuk kërkojnë asgjë më shumë sesa atë që u takon sipas standardeve demokratike evropiane: barazi, dinjitet, siguri, përfaqësim të drejtë dhe mundësi të barabarta për zhvillim!”, përfundon Hyseni.
