Anija cisternë ruse “Yelnya” është shfaqur sërish përmes një transmetimi të koduar, pikërisht në kohën kur flota detare ruse, e cila ditët e fundit ishte pozicionuar në Ngushticën e Siçilisë, pranë bregdetit të Tunizisë, ka ndryshuar kurs dhe tani po lëviz drejt Atlantikut.
Lëvizjet e kësaj anije po bëhet gjithnjë e më e paqarta, teksa ka lëshuar edhe një mesazh të koduar dhe ka fikur radarët.
Për javë të tëra, anija kishte qëndruar pranë Bizertës, në Tunizi, duke ofruar mbështetje për flotiljen ndërsa ajo lëvizte drejt Mesdheut Lindor. Gjatë qëndrimit në ato ujëra, ajo furnizoi gjithashtu me karburant fregatën “Admiral Golovko”. Më pas ndodhi një ndryshim: kur grupi ndryshoi drejtim, “Yelnya” u zhduk nga radarët dhe nuk është shfaqur në asnjë imazh satelitor të disponueshëm deri më tani.
Ku ndodhet ajo sot, mbetet një mister. Analistët e “Itamilradar”, të cilët kanë ndjekur lëvizjet e saj, sugjerojnë dy mundësi. E para është se anija cisternë vazhdon ta ndjekë flotën ruse, ndoshta duke ruajtur një distancë të konsiderueshme, gjë që do të shpjegonte pse nuk është kapur nga satelitët. E dyta është se ajo nuk është larguar kurrë nga Mesdheu dhe qëndron diku e palëvizshme, e ndarë nga pjesa tjetër e grupit. Ky mesazh i fundit i koduar ka ngjallur interesin e analistëve, por është i pamjaftueshëm për të përcaktuar vendndodhjen e anijes apo qëllimet e ekuipazhit.
Ngarkesa ruse është transferuar midis anijeve “Ascalon” dhe “Angara” pas një sulmi ukrainas. Ndërkohë, një kolonë e dytë ka ndryshuar kursin dhe po largohet nga Mesdheu.
Një element tjetër që e shton kompleksitetin e situatës është fati i fregatës ruse. A do ta shoqërojë “Admiral Golovko” kolonën deri në Gjibraltar para se të kthehet në Mesdhe, apo do të kalojë përmes ngushticës së bashku me anijet e tjera? Është pikërisht kalimi përmes Gjibraltarit ai që do t’i japë fund pasigurive raporton gazeta italiane “Il Messaggero”. Sapo anijet ruse të kalojnë përmes Ngushticës, situata do të bëhet më e qartë dhe do të kuptohet nëse “Yelnya” vazhdon të shërbejë si anije mbështetëse logjistike për flotiljen, apo nëse ka mbetur në ujërat e Mesdheut.
