Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Të paktën 103 të vdekur nga shpërthimet pranë varrit të gjeneralit iranian Qasem Soleimani

Të paktën 103 persona janë vrarë nga dy shpërthime bombash pranë varrit të gjeneralit iranian Qasem Soleimani në përvjetorin e katërt të vrasjes së tij nga SHBA, raportojnë mediat shtetërore të Iranit.

Transmetuesi shtetëror Irib tha se dhjetëra të tjerë u plagosën kur shpërthimet goditën një pjesë pranë xhamisë Saheb al-Zaman në qytetin jugor të Kermanit, përcjell BBC.

Ai citoi zëvendësguvernatorin e Kermanit të thoshte se ishte një “sulm terrorist”.

Videot treguan trupa në rrugë dhe ambulanca që po nxitonin në vendngjarje.

Nuk ishte e qartë se kush ishte pas shpërthimeve dhe nuk kishte pretendime të menjëhershme nga ndonjë grup.

Por separatistët arabë, Shteti Islamik (IS) dhe grupe të tjera xhihadiste sunite kanë thënë se kanë kryer sulme vdekjeprurëse ndaj forcave të sigurisë dhe faltoreve shiite në vend vitet e fundit.

Soleimani shihej si figura më e fuqishme në Iran pas Udhëheqësit Suprem, Ayatollah Ali Khamenei, përpara se të vritej në një sulm me dron amerikan në Irakun fqinj në vitin 2020.

Incidenti i së mërkurës vjen në mes të tensioneve të shtuara në rajon pasi nënkryetari i grupit palestinez të mbështetur nga Irani, Hamas, u vra në një sulm të dukshëm izraelit me dron në Liban.