Ish-prokurori Besnik Muçi, i ftuar në një studio televizive, ka folur lidhur me çështjen e kryebashkiakut Erion Veliaj dhe nëse del nga burgu a do të shkojë dot në zyrë. Gjatë fjalës së tij Muçi ka shpjeguar procedurat.
Ai u shpreh se Gjykata Kushtetuese nuk ka cenuar në thelb vendimin e arrestit në burg në raport me faktin penal dhe me vetë të pandehurin por shtoi se do jetë shumë e vështirë për t’u justifikuar, pra që Veliaj të dalë për aktivitet politik. Ish-prokurori foli edhe lidhur me disa pretendime të shkeljes së të drejtave të njeriut.
“Në rastin konkret, zoti Veliaj ka ankimuar vendimin e Gjykatës së Lartë që ka lënë në fuqi masën e arrestit në burg me disa pretendime të shkeljes së të drejtave të njeriut. Pra pretendime të natyrës procedurale, por dhe të natyrës materiale të çështjes. Për shembull, ka pasur pretendime lidhur me të drejtën e njohjes, kohën për t’u njohur me aktet, të drejtën me të qenit në kafaz ose jo, me proporcionalitetin e vendosjes së masës së sigurimit.
Gjykata Kushtetuese të gjitha pikat që kanë të bëjnë me çështjet e procedurës i ka rrëzuar, ose me mosplotësim kuorumi, pra pesëshe, ose i ka rrëzuar me shumicë me faktin se nuk është konstatuar shkelja e atyre të drejtave të njeriut.
Ka konstatuar dy shkelje të të drejtave të njeriut, ka konstatuar shkeljen e të drejtës për t’u trajtuar me dinjitet duke qenë në kafaz. Dhe Gjykata Kushtetuese thotë që në këtë rast qenia në kafaz ka cenuar të të drejtën për t’u trajtuar me dinjitet në proces penal të zotit Veliaj.
Por Gjykata Kushtetuese thotë, për shkak se Gjykata e Lartë nuk e ka argumentuar këtë gjë, pra nuk ka argumentuar pse qëndrimi në kafaz nuk përbën shkelje të dinjitetit. Në fakt bëj një parantezë. për këtë pikë: unë jam pak më i avancuar.
Për mua qëndrimi në kafaz nuk është thjesht çështje e shkeljes së dinjitetit. Qëndrimi në kafaz i të pandehurit në Gjykatën e Posaçme përbën shkelje të të drejtës së të pandehurit për t’u mbrojtur, sepse duke qëndruar në kafaz pamundësohet komunikimi i natyrshëm, i drejtpërdrejtë me mbrojtësin. Dhe komunikimi i natyrshëm dhe i drejtpërdrejtë me mbrojtësin është pjesë thelbësore e të drejtës për t’u mbrojtur’, tha ai ndër të tjera.
