Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar për zhvillimet e fundit politike, duke thënë se partia e tij qëndron në rrugën e Ibrahim Rugovës dhe në miqësi të përhershme me SHBA-në.
Abdixhiku ka theksuar se UÇK-ja është pjesë e historisë dhe e lirisë së Kosovës, ndërsa ka deklaruar se LDK-ja nuk i nënshtrohet “etiketimeve, kërcënimeve dhe shantazhit”.
Ai ka kritikuar situatën aktuale institucionale, duke thënë se Kosova ka mbetur “pa institucione, pa mundësi mbrojtjeje, pa kohezion minimal”, ndërsa ka ngritur pyetjen: “Çështja është, kujt i shërbyen, në të vërtetë?”
Postimi i Lumirit:
Të jesh LDK do të thotë ta mbash kokën lart dhe ta dish rrugën tënde.
Rrugën e Ibrahim Rugovës. Të Kosovës së lirë, të pavarur e në miqësi të përhershme me Amerikën.
UÇK-ja është edhe gjaku ynë. Me Amerikën e NATO-n na lidh vetë liria. Asnjë tregtari patriotizmi nuk ia lejojmë ta përvetësojë historinë që e bëmë bashkë.
Kemi rrënjë të forta. Etiketimet nuk na e ndryshojnë bindjen. Kërcënimet nuk na e përcaktojnë qëndrimin. Na keni ngatërruar me mercenarët.
LDK-ja e di kujt i jep llogari; Kosovës dhe njerëzve të saj. Atyre që janë dhe të tjerëve që s’janë që të jemi ne. Përballë tyre kemi përgjegjësi. Përballë shantazhit veç forcohemi.
LDK-ja e di edhe të mbarën për vendin. Po të ishte dëgjuar vizioni ynë, sot do të kishim President dhe stabilitet balancues. Kosova do të kishte angazhim institucional për mbrojtjen e së vërtetës së luftës tonë në botë.
Nuk u dëgjua. U luftua me çdo mjet!
Ja ku mbetëm sot. Pa institucione, pa mundësi mbrojtjeje, pa kohezion minimal në vend.
Ç’ështja është, kujt i shërbyen, në të vërtetë?
