Lajme

Presidenca ende nuk i ka përditësuar të dhënat e kabinetit të presidentes

Në faqen zyrtare të Presidencës së Republikës së Kosovës ende nuk janë përditësuar të dhënat për anëtarët e kabinetit të presidentes Justina Shiroka-Pula, ndonëse ka kaluar më shumë se një muaj që nga marrja e detyrës së saj në krye të shtetit.

Pavarësisht ndryshimeve në udhëheqjen e institucionit dhe emërimeve të reja në kabinetin presidencial, opinioni publik vazhdon të mos kenë qasje në informacione të plota dhe të përditësuara për përbërjen e ekipit që asiston presidenten në ushtrimin e funksioneve të saj.

Në ueb faqen zyrtare të Presidencës vazhdon të figurojë rubrika me emërtimin “Kabineti i Presidentes”, ndërkohë që të dhënat për anëtarët e kabinetit aktual nuk janë përditësuar.

Mungesa e këtyre informacioneve e bën të paqartë për publikun se cilët janë zyrtarët që aktualisht mbajnë pozita në kabinetin e presidentes Shiroka-Pula, si dhe cilat janë përgjegjësitë dhe fushat që ata mbulojnë.

Lidhur me këtë çështje, Agjencia e Lajmeve KosovaPress i është drejtuar përmes postës elektronike Zyrës së Presidentes, duke kërkuar sqarime për mospërditësimin e të dhënave në faqen zyrtare të institucionit.

Megjithatë, deri në momentin e publikimit të këtij lajmi, Presidenca nuk ka kthyer përgjigje në kërkesën e KosovaPress-it.

Për rrjedhojë, ende nuk dihen arsyet pse emrat dhe pozitat e anëtarëve të rinj të kabinetit presidencial nuk figurojnë në faqen zyrtare, si dhe kur pritet që këto informacione të bëhen të qasshme për publikun.

Të Ngjashme