Lidhja Demokratike e Kosovës po përballet me një valë të re tensionesh të brendshme pas rezultatit në zgjedhjet e 7 qershorit, ku u rendit e treta, pas Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës. Ky rezultat nuk arriti të ndryshojë pozitën që partia ka mbajtur edhe në dy proceset e mëparshme zgjedhore, duke rikthyer debatet mbi drejtimin e saj politik dhe përgjegjësinë e lidershipit.
Gjatë kësaj jave, kërkesat për dorëheqjen e kryetarit Lumir Abdixhiku u bënë publike nga figura të rëndësishme të partisë, përfshirë kryetarin e Degës së LDK-së në Lipjan, Imri Ahmeti, dhe kryetarin e Degës së LDK-së në Pejë, Gazmend Muhaxhiri.
Ata vlerësuan se Abdixhiku duhet të marrë përgjegjësi për rezultatin zgjedhor dhe për faktin se LDK-ja nuk ka shënuar rritje të konsiderueshme elektorale.
Ndaj këtyre kritikave, Abdixhiku reagoi duke u bërë thirrje vetë kritikëve të japin dorëheqje, duke e thelluar edhe më tej debatin e brendshëm mbi të ardhmen e partisë.
Këto kërkesa kanë hapur debat mbi gjendjen aktuale të LDK-së, mënyrën e menaxhimit të sfidave paszgjedhore dhe perspektivën e saj politike. Në këtë kontekst, shtrohen pyetje të rëndësishme mbi ndikimin e këtyre zhvillimeve në unitetin e partisë, mundësinë e thellimit të përçarjeve dhe hapat që pritet të ndërmerren në ditët dhe javët në vijim.
Mjaki: Lumiri nuk është ai që e bashkon LDK-në
Fillimisht, për këtë temë në një prononcim për “Bota sot” foli veprimtari i LDK-së nga Zvicra, Ismet Mjaki, i cili nuk u shpreh i kënaqur me lidershipin aktual të partisë.
Sipas tij, Abdixhiku bëri çka deshi vetë, vendosi ta afrojë Osmanin, por nuk afroi në parti figura kyçe të LDK-së, siç janë Bisimi e Murtezaj.
“Po e përcjellim nga larg atë që po ndodh në LDK pas zgjedhjeve. Pra, Lumiri kishte kërkuar votëbesim nga Kuvendi dhe atë e ka marrë nga 55% e delegatëve, që në demokraci është në rregull. Por, si lider, pa asnjë kundërkandidat, me dalë kundër 45% është tmerr me vazhdu. Megjithatë, Lumiri bëri si të dojë vetë, pa e bërë as Kryesinë e LDK-së për disa kohë, që ai vetë të vendosë, bash si pasha, dhe këtë e ka bërë me cep më cep.
Lumiri e afroi Vjosën për ta shpëtuar veten, dhe Vjosa, meqë ishte e vdekur politikisht, Lumiri e shpëtoi. Unë mendoj që mirë ka bërë Lumiri që e ka sjellë Vjosën, por nuk ka afruar as Faton Bislimin, as Valon Murtezajn nga mërgata, e as plot të tjerë që ishin ADN-ja e LDK-së”, deklaroi ai.

Ismet Mjaki
Po ashtu, Mjaki konsideron se Abdixhiku nuk është personi që mund ta bashkojë LDK-në, pasi sipas tij ai merr vendime pa menduar, madje duke dalë keq edhe para elektoratit.
“Lumiri i ka shfrytëzuar kompetencat e Kuvendit, edhe pse vendimi ishte që të mos angazhohen ata që kanë poste. Prapë se prapë, sekretar e ka bërë Ilir Feratin, edhe pse mban postin e kryetarit të komunës, dhe Sokol Halitin sekretar për jashtë, që s’kemi asnjë nevojë për këso filmash në mërgatë.
Lumiri nuk është ai që e bashkon LDK-në. Është idhnak i madh dhe merr vendime pa menduar, duke dalë keq para elektoratit. Një kryetar që ka problem me një kryetar komune, e merr makinën, shkon e ha një darkë dhe sqarohen, e jo me deklarata fëmijërore: “Le të ma dërgojnë dorëheqjen, ua pranoj.” Kjo tregon se ky e përçan LDK-në”.
Ndër të tjera, mbështeti thirrjet për dorëheqjen e kryetarit, pasi sipas tij duhet të japë përgjegjësi për situatën e krijuar në parti.
“Me statutin e LDK-së, që ky as gjallë s’ka qenë kur është bërë, anëtarët kanë të drejtë të kërkojnë përgjegjësi, dorëheqje dhe ta thërrasin Kuvendin me 1/3 e votave. Lumiri mundet me e përça, por jo me e bashku LDK-në”, përfundoi Ismet Mjaki për “Bota sot”.
Dajaku: LDK-ja ka nevojë për reformim dhe rigjallërim
Ndërsa, për zhvillimet e fundit në LDK dhe përplasjet e vazhdueshme foli edhe Xhevat Dajaku, vëllai ish-truprojës së presidentit Rugova, Besim Dajaku.
Ai fillimisht potencoi faktin se marrja e një pozite udhëheqëse në një parti politike më shumë është përgjegjësi, se privilegj. Me këtë rast, brenda LDK-së ai vlerëson se ka njerëz që partinë po e shohin vetëm si mjet për realizimin e interesave personale.
“Partitë politike janë formacione të organizuara rreth një programi dhe vizioni politik, të ndërtuar nga ekspertë dhe njerëz me ide e koncepte për të ardhmen e shoqërisë dhe të shtetit. Prandaj, marrja e një pozite udhëheqëse në një parti politike nuk është vetëm privilegj, por mbi të gjitha përgjegjësi ndaj partisë, qytetarëve dhe vendit në tërësi.
Megjithatë, shpesh ndodh që individë të caktuar ta shohin partinë si mjet për realizimin e interesave personale ose të grupeve të papërgjegjshme, duke dëmtuar interesin publik dhe duke krijuar pengesa që në shumë raste i kanë kushtuar shtrenjtë shtetit dhe shoqërisë”.

Xhevat Dajaku
Gjithashtu, Dajaku kujtoi kohën e lavdishme të LDK-së, kur ajo udhëhiqej nga presidenti historik Ibrahim Rugova. E më këtë rast, ai vlerëson se që nga vdekja e Rugovës, ai vlerëson në vazhdimësi ka pasur ndarje dhe mospajtime të brendshme.
Për këtë, ai mbështet kërkesat për dorëheqje të kryetarit dhe konsideron se ato nuk duhet të interpretohen si sulme ndaj subjektit.
“LDK-ja ka një histori të pasur dhe të lavdishme. Gjatë rrugëtimit të saj ka ndërmarrë hapa të matur dhe vendimtarë, veçanërisht në organizimin e institucioneve paralele në rrethana jashtëzakonisht të vështira, të njohura për të gjithë ata që gjykojnë me arsye dhe objektivitet. Ajo u sulmua dhe u kritikua si nga armiqtë serbë, ashtu edhe nga shqiptarë me qëndrime të ndryshme politike. Megjithatë, vazhdoi rrugëtimin e saj deri në vdekjen e Presidentit historik, Ibrahim Rugova. Pas asaj periudhe filluan të shfaqen ndarje dhe mospajtime të brendshme, të cilat janë të njohura për opinionin publik dhe që vazhdojnë të reflektohen edhe sot.
Prandaj, kërkesat për dorëheqje apo për përgjegjësi politike nuk duhet të interpretohen si sulme apo kundërshti ndaj subjektit, por si thirrje për debat të hapur, transparent dhe demokratik brenda organeve legjitime të partisë. Në çdo subjekt politik ka individë dhe grupe me qëllime të mira, por mund të ketë edhe të tillë që udhëhiqen nga interesa të ngushta dhe dëmtuese. Pikërisht për këtë arsye nevojiten debate serioze, analiza të thelluara dhe vlerësime të bazuara në argumente, duke pranuar realitetin politik, shkaqet, rrethanat dhe pasojat e zhvillimeve të ndryshme”.
Në fund, ai shtoi se partia në fjalë ka nevojë për reforma të thella, pasi bashkëpunimet jo parimore me subjekte të caktuara e kanë dëmtuar atë shumë.
Madje, paralajmëroi se nëse nuk bëhen ndryshimet e nevojshme ekziston rreziku që LDK-ja të vazhdojë të humbasë mbështetjen qytetare.
“LDK-ja ka nevojë për reformim dhe rigjallërim. Një pjesë e madhe e elektoratit të saj tradicional, i cili sot mbetet kryesisht i heshtur, ka qenë i lidhur me vlerat dhe politikat që dikur e karakterizonin këtë subjekt. Megjithatë, zhvillimet e brendshme, jo gjithmonë të drejta, si dhe bashkëpunimet jo parimore me subjekte ku janë përmendur elemente të dyshuara për veprimtari kriminale, kanë ndikuar që shumë votues të humbin besimin dhe të distancohen nga procesi politik, deri në abstinim.
LDK-së i nevojitet rikthimi i meritokracisë, ashtu siç ishte një nga parimet themelore në kohën e Presidentit Rugova. Pa meritokraci, pa debat të lirë dhe pa kulturën demokratike që dikur e dallonte këtë parti, jo vetëm që do të dështojnë përpjekjet aktuale për kërkim llogarie dhe reformim, por ekziston rreziku që LDK-ja të vazhdojë të humbasë mbështetjen qytetare dhe të shtyhet edhe më tej drejt margjinave të skenës politike”, përmbylli Xhevat Dajaku për “Bota sot”
