Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kandidati për kryeministër, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas vdekjes së Bahrije Mustafës, bashkëshortes së veprimtarit Xhemail Mustafa.
Në një postim në Facebook, Abdixhiku ka vlerësuar figurën e saj, duke e përshkruar si një grua të rrallë që, pavarësisht dhimbjes së madhe personale, kishte arritur ta shndërronte atë në dinjitet, forcë dhe përkushtim ndaj familjes dhe vendit.
“Jeta i kishte ngarkuar mbi supe peshën e një humbjeje të madhe, por ajo kishte ditur ta shndërronte dhimbjen në dinjitet, forcë dhe përkushtim për familjen dhe vendin. Me qetësinë, urtësinë dhe fisnikërinë e saj, ajo mbeti përherë gardiane e kujtimit dhe veprës së bashkëshortit të saj e veprimtarit tonë të madh Xhemail Mustafës. Bahrije Mustafa na la sot. Me të largohet edhe një pjesë e çmuar e kujtesës sonë kolektive. Për shumë vite, takimet tona të 23 nëntorit, në përvjetorin e Xhemës, bartnin ngrohtësinë e pranisë së saj. Ajo ishte aty, me fjalën e matur, me respektin për miqtë dhe me dashurinë e pashtershme për njeriun që i mungoi për një jetë të tërë. Çdo takim me të ishte një kujtim i gjallë i qëndresës, besnikërisë dhe fisnikërisë. Edhe kur vitet e kishin lodhur, ajo nuk reshti së ruajturi me krenari kujtimin e Xhemailit dhe vlerat për të cilat ai jetoi”, shkroi ai.
Ai theksoi se Bahrije Mustafa ka qenë një gardiane e kujtimit dhe veprës së bashkëshortit të saj.
“I dashuri Besian, e dashura Berianë, në emër të gjithë anëtarësisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e nënës suaj. Gjeni forcë në shembullin e saj, ashtu siç ajo gjeti forcë në momentet më të vështira të jetës. Zonja Bahrije, pusho në paqe. Bashkohu në amshim me Xhemailin, të cilit i qëndrove pranë me dashuri, besnikëri dhe dinjitet deri në fund.I përjetshëm qoftë kujtimi për zonjën Bahrije”, tha Abdixhiku
