Përplasja mes kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, ka marrë përmasa të reja, duke dalë tashmë hapur në publik.
Nga qelia, Veliaj ka adresuar akuza dhe kritika ndaj Ramës, duke ngritur pikëpyetje mbi raportet e dikurshme mes dy bashkëpunëtorëve të afërt.
Kjo përplasje ka nxitur reagime dhe analiza të shumta mbi përçarjet brenda Partisë Socialiste, luftën për pushtet dhe ndikimin që mund të ketë ky konflikt në të ardhmen politike të PS-së.
Me deklaratën se ka më shumë dinjitet se kryeministri, Veliaj ka përdorur tone të ashpra, duke e kthyer reagimin në një përballje të drejtpërdrejtë politike.
A po shënon rasti Veliaj fillimin e një krize më të thellë brenda partisë në pushtet?
Shahu: PS po shembet nga brenda

Rexhep Shahu
Publicisti nga Shqipëria, Rexhep Shahu në një përgjige për “Bota sot”, ka kritikuar Edi Ramën, duke e krahasuar mënyrën e tij të veprimit me atë të Enver Hoxhës.
Sipas Shahut, arrestimet e figurave të PS-së dhe përplasja me Erion Veliajn dëshmojnë përçarjet e thella brenda partisë.
“PS është në traditën e saj për gjetjen e grupeve armiqësore në radhët e saj. Tani Rama po bën si Enveri po gjen grupet armiqësore dhe po i dënon. Shumë figura socialistësh ka futur në burg. Erion Veliaj është peshë e rëndë është ai që ka patur më afër Rama.
Shpresohet se PS po shembet nga brenda”, tha ai.
Mustafa: Sherri Rama-Veliaj, duel i ri në “xhunglën” PS …

Xhevat Mustafa
Kurse, opinionisti Xhevat Mustafa ka komentuar konfliktin mes kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, duke ngritur dyshime për një përplasje të brendshme për pushtet dhe ndikim në Partinë Socialiste.
Ai e cilëson vizitën e ministrit Toni Gogu në qelinë e Veliajt si një ngjarje shqetësuese dhe e interpreton situatën si dëshmi të asaj që e quan diktatorizim dhe enverizim të qeverisjes së Ramës.
“Shkas apo arsye e konfliktit të ri Edi Rama-Erion Veliaj është bërë vizita e ministrit Toni Gogu në qelinë e Veliajt në burgun e Fierit, në mbrëmjen e vonë të 30 tetorit 2026. Debati me tone tejet të ashpra apo aspak prej ish miqsh të vjetër, shtyn shumëkënd, shqiptar dhe ndërkombëtar të mendojë dhe shprehë një tufë pyetjesh: A po thellohet përçarja brenda Partisë Socialiste? A kemi të bëjmë me një konflikt personal mes dy figurave apo me një përplasje më të gjerë për pushtet dhe ndikim brenda PS-së? Pse gjithnjë e më shumë figura që dikur ishin pjesë e rrethit të afërt të Edi Ramës po përfundojnë në burg ose nën hetim dhe po i kthejnë shpinën? Kjo dramë apo farsë mund të jetë sherr mes dy “këlyshëve” të Enverit apo të Xhoxh Sorosit? Për fronin në PS dhe shtet, se cili të jetë mbret? Apo lojë e pistë politike, ordinere, se cili të fitojë me çdo mënyrë e formë për të bërë ç’të dojë me ketë vend e popull, me këtë copë të mbetur Shqipëri? Apo kryeministrit i ka shkrepur në tru dhe i është mbushur mendja që ta zëvëndësojë “kartën e djegur” apo të njollosur sa nuk pastrohet dot, Erion Veliajn me Arbër Hajdarin, biri i një miku dhe dhëndër Devollësh Kosove, me lidhje, “miqësi”, kredi të forta brenda e jashtë Kosovës, deri në Beograd, Moskë, Shtëpinë e Bardhë…?
Kjo ngjarje në burgun e Fierit është jo vetëm një skandal, por edhe për tu tronditur dhe shqetësuar të gjithë si popull e shoqëri. Sidomos, si dëshmi e re e diktatorizimit dhe enverizimit të Edi Ramës! Kur trajtohet kështu një figurë politike dhe një pushtetar ligjërisht në detyrë, mendoni se si mund të sillen njerëzit e Edi Ramës, domethënë vartësit e tij, me një opozitar, mendimtar ndryshe jashtë e brenda PS- së dhe me një qytetar të thjeshtë, jo mbeshtetës e votues të saj”, shprehet ai për “Bota sot”.
Mustafa pretendon se Erion Veliaj po kërkon llogari nga kryeministri Edi Rama për trajtimin ndaj tij. Ai ngre pikëpyetje mbi takimin e ministrit Toni Gogu me Veliajn në burg, duke shprehur dyshime se vizita kishte për qëllim negociatat apo presionin politik.
Mustafa vlerëson se kjo përplasje dëshmon thellimin e krizës brenda Partisë Socialiste.
“Nga një analizë më e thellë dhe më e vëmendshme kuptohet se Erion Veliaj nuk po kërkon më vetëm shpjegime për trajtimin e tij si top futbolli apo basketbolli, më saktë e konkretisht për transferimin e tij nga një burg në tjetrin, por po kërkon llogari nga Edi Rama. Me postimin e pasdites të ditës së 2 nëntor 2026, konflikti mes tyre del hapur në publik. Si i tillë, nuk ka të bëjë vetëm me fatin politik dhe jetësor të kryebashkiakut të Tiranës, funksion që ai po e kryen paradoksalisht, më shumë për tolerancë ligjore nga kryeministri Edi Rama dhe për qenien e qeverisjes e të shtetit të tij një treg informal me ligjet, kompetencat, vendimet, të drejtat…, ngjashëm si tregjet fshatarë në sheshe e trotuare me perimet dhe frutat e stinës!
Veliaj pretendon se ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, në takimin e së premtes vonë, rreth orës 22.30 e më pas, i ka përcjellë tri kërkesa: të pranojë përfshirjen në protestat studentore, të heqë dorë nga drejtimi i Bashkisë Tiranë dhe të ndërpresë këshillimin me avokatin e tij. I detyruar nga Veliaj dhe nga mediat e njoftuara prej tij, Ministri Gogu, detyrohet të tregohet gjysmë i siqertë. Ai e pranon dhe konfirmon takimin, por mohon përmbajtjen e pretenduar të bisedës.
Logjika të shtyn më tepër ti besosh Veliajt se sa Gogut. Perderisa Gogu e pranon “burrërisht” që ka shkuar në mbrëmjen e 30 tetorit 2026, nga ora 22.30 e më tutje, t’a takoje, s’ka nevoje fare për mëdyshje e hipoteza! Ministri i Drejtësisë alla edramjane ka shkuar në rastin më të mirë për të negociuar dhe në rastin më të keq, për ta kërcënuar sherrxhiun në kohë të papërshtashme e të padëshiruar, Erion Veliaj! Logjikshëm, shumëkush mendon dhe bën pyetjet në vetvete apo në biseda me të tjerë: Përse shkoi për ta takuar në një orë aq të vonë e në një ditë me shumë telashe, dilema, rreziqe për Edi Ramën ? Përse nuk shkoi disa javë apo ditë më parë? Përse shkoi kur u bë krejt i qartë dyshimi i shprehur në media, edhe nga unë e po në gazetën “BOTA SOT” qysh me fillimin e protestave në fund qershor, se krahas faktorëve të tjerë, vendorë e të jashtëm, protestuesit për rreth 4 muaj e gjysmë, kishin edhe tifozllëkun dhe mbështetjen shumëformëshe të Erion Veliajt” – shpjegon ai.
Në fund, Mustafa thotë se konflikti mes Edi Ramës dhe Erion Veliajt ka krijuar përçarje dhe dilema brenda Partisë Socialiste.
Sipas tij, kjo përplasje paraqet rrezik për të dyja palët, pasi Veliaj dhe Rama kanë ndarë pushtet dhe informacione të shumta gjatë bashkëpunimit të tyre politik.
“Sherri, dueli, skandali i ri Rama-Veliaj i ka vënë edhe socialistët në hall apo siklet. Ata janë në dilemë nëse duhet të mbështesin partinë dhe Erion Veliajn apo të mbrojnë çdo vendim të kryetarit dhe kryeministrit, edhe kur ai abuzon me plotpushtetshmërinë, edhe kur gabon, tregohet tejet autoritarist e hakmarrës ndaj disave që i dalin nga zemra dhe “engjëll mbrojtës” ndaj Olta Xhaçkës, Linda Ballukut, Frida Krifcës, Mirela Kumbaros, Ogerta Manastirliut, Taulant Ballës… Deri tani kryeministri Edi Rama është përballur me menaxhimin e skandaleve në qeverisje, protestat në rrugë dhe opozitën në Parlament, tani përballet edhe me akuza publike nga një prej bashkëpunëtorëve të tij më të afërt, me të cilin ka bërë punë të panumërta, pa qenë e mundur të përcaktohet se cilat peshojnë më shumë në kandarin e drejtësisë, ato të mira apo ato të këqija e të dënueshme.
Edhe për Erion Veliajn ky është një duel me rreziqe dhe pasoja, të parashikueshme e të pamundura për tu marrë me mend e për tiu shmangur pa asnjë dëmtim. Ai mund të fitojë lehtësimin e kushteve në burg dhe respektimin më të mirë të të drejtave të tij, por njëkohësisht ka humbur shumë pikë tifozllëku, vlerësimi dhe mbështetjeje në PS. Ai është aq i zgjuar sa paramendojë dhe të kuptojë shumicën e pritshmërive nga e adhmja e tij. Për këtë ndihmohet edhe nga bagazhi i pasur i njohjes nga brenda gjirit të PS-së. Zhvillimet e fundit brenda PS-së duhet ti kujtojnë një përvojë e një të vërtetë të vjetër: atë që ta bën lufta brenda llojit, në shumicën e rasteve nuk ta bëjnë as kundërshtarët e vërtetë, me të cilat ke shumë vjet kundërvënie dhe kacafytjeje politike në parlament, media, salla…!
Edhe Edi Rama bën mirë të ketë parasysh se është shumë më keq kur konfliktohesh me atë që ke ndarë pushtet, sekrete, abuzime…! Apo që të di shumë vendime, veprime, punë jo të ligjshme dhe inkriminuese…, nga të cilat dorëheqja si qytetar i lirë do të ishte ndëshkimi më i lehtë dhe më i padrejtë për atë si njeri, qytetar, politikan, pushtetar i lartë” – përfundon ai për “Bota sot”.
