Kirurgu Adem Ademi, mbetjet mortore të së cilit u identifikuan nga gërmimet që janë zhvilluar në fshatin Kalludër e Vogël të Zubin-Potokut, pjesë e “Grupit të Intelektualëve” të zhdukur që nga lufta, do të rivarroset më 28 nëntor në Mitrovicë.
Lajmin e ka bërë të ditur djali i tij, Erblin Ademi.
Ai ka njoftuar se para rivarrimit që është paraparë në ora 14:00, do të mbahen homazhe nga 10:00 – 11:30, ndërsa nga ora 12:00-13:00 mbledhja komemorative, në Qendrën e Kulturës “Rexhep Mitrovica”, Mitrovicë.
Më 3 nëntor ishte indentfkaur trupi i Ademit, i cili figuronte i zhdukur që 27 vjet.
Lajmin për identifikimin e tij e kishte bërë të ditur kryeministri Albin Kurti, i cili kishte njoftuar se pas pranimit të raporteve të reja të ADN-së nga laboratori në Hagë, janë identifikuar Adem (Fazli) Ademi, Fatmir (Bajram) Fazliu dhe Ali (Islam) Haliti.
