Lajme

Komisioni për të Drejtat e Komuniteteve takon ambasadorin e Hungarisë në Kosovë

Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim, i kryesuar nga zëvendëskryetari Adnan Rrustemi, ka pritur në takim ambasadorin e Hungarisë në Kosovë, László István Dux, me të cilin diskutuan për mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve joshumicë, përfaqësimin e tyre institucional dhe bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve.

Gjatë takimit, zëvendëskryetari Rrustemi e falënderoi ambasadorin Dux për vizitën dhe mbështetjen e vazhdueshme të Hungarisë ndaj Kosovës. Ai prezantoi punën e Komisionit, duke u ndalur te mekanizmat institucionalë dhe kushtetues që garantojnë mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve dhe përfaqësimin e tyre në Kuvend.

Nga ana e tij, ambasadori hungarez shprehu interesim për punën e Komisionit dhe gjendjen e komuniteteve joshumicë në Kosovë. Ai vlerësoi përvojën e Kosovës në mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve, ndërsa ndau edhe përvojat e Hungarisë në fushën e përfaqësimit institucional të tyre.

Anëtarët e Komisionit theksuan rëndësinë e zbatimit të garancive kushtetuese dhe të masave konkrete që mundësojnë përfaqësimin dhe përfshirjen e komuniteteve në jetën institucionale. Po ashtu, në takim u diskutua për legjislacionin që ndërlidhet me të drejtat e komuniteteve dhe ndryshimet e mundshme në këtë fushë.

Takimi u përmbyll me zotimin e palëve për vazhdimin e bashkëpunimit dhe shkëmbimin e përvojave në funksion të avancimit të të drejtave dhe interesave të komuniteteve.

Të Ngjashme