Lajme

Agim Bahtiri mbështet Pacollin për vendosjen e tabelave në veri të Mitrovicës – “godet” Buzhalën: Le të tregojë rolin e tij atje

Ish-deputeti i VV-së, Agim Bahtiri ka reaguar lidhur me debatet për vendosjen e tabelave të reja në Mitrovicën e Veriut, duke thënë se emri i heroit kombëtar “Isa Boletini” po përjetësohet në veri për herë të parë pas luftës.

Ai mbështeti Fitore Pacolli për zbatimin e ligjit dhe përgëzoi Policinë e Kosovës për reagimin gjatë incidentit me mbulimin e tabelave.

Bahtiri kritikoi edhe analistin Berat Buzhala, duke e akuzuar për “pseudo-patriotizëm” dhe për përfshirje në biznes në veri.

Reagimi i plotë:

MBI POLITIKAT E DITËS DHE PROPAGANDAT E ULËTA, TRIUMFON EMRI I ISA BOLETINIT NË VERI

Zhurma mediale rreth tabelave të reja në Mitrovicën e Veriut është vetëm një tentativë e dështuar që në kohë fushate ta nxjerrin nga konteksti gjithë këtë proces. E vërteta dhe fitorja shtetërore nuk mund të tjetërsohen: për herë të parë, 26 vite pas luftës, në rrugët e çliruara nga strukturat kriminale, u vendos emri i heroit kombëtar, Isa Boletinit.

Mbështes fuqishëm Ministren e MMPHI-së, znj. Fitore Pacolli, për zbatimin e ligjit. Më 10 qershor 2015, si Kryetar Komune, pata nderin jetësor që përkundër presioneve të mëdha ta rivarrosja Isa Boletinin në Boletin. Sot, 11 vite më vonë, emri i tij përjetësohet edhe në qendër të Veriut!

Skenat ku kryetari i Mitrovicës së Veriut tentoi të mbulonte tabelat për të krijuar tensione artificiale janë të papranueshme. Përgëzoj Policinë e Kosovës për reagimin profesional, heqjen e menjehershme të mbulesave dhe vendosjen e rendit.

E sa për pseudo-patriotizëm, nuk mund të na shesë mend e të na tregojë për veriun, Berat Buzhala. Para se të flasë për veriun, ai le t’i tregojë popullit se si shërbeu si ortak në gurthyesin në veri, bashkë me mikun e tij shumëvjeçar!

Turpi i mbuloftë ata që për poena të ulëta politike duan tensione.

Të Ngjashme