Ish-nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës në Podujevë, Agim Veliu, ka bërë të ditur se nuk do të jetë pjesë e listës së kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 7 qershorit, duke hedhur kritika të ashpra ndaj lidershipit aktual të partisë.
Përmes një reagimi publik drejtuar anëtarëve dhe simpatizantëve të LDK-së, Veliu tha se po refuzon të bëhet pjesë e një projekti që, sipas tij, e largon partinë nga identiteti institucional dhe shtetndërtues.
Ai kritikoi mënyrën se si po promovohet “Bashkimi i madh” brenda LDK-së, duke thënë se tashmë po rikthehen figura që dikur ishin anatemuar dhe përjashtuar nga strukturat partiake.
Veliu zbuloi se para zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025 kishte shprehur gatishmërinë për të kandiduar për deputet, por kandidatura e tij ishte refuzuar nga dega e partisë në Podujevë, me arsyetimin se ishte “vendim i shefit të madh”, duke iu referuar kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Sipas tij, tani e njëjta strukturë partiake e ka propozuar për deputet pa e kontaktuar fare, gjë që, sipas Veliut, dëshmon se kanë ndryshuar vetëm “strategjitë për mbijetesë politike”.
Në reagimin e tij, ai ironizoi edhe rikthimin e Vjosa Osmani në LDK, duke e quajtur atë “të rikthyer nga aventura pesëvjeçare në kampin majtist”.
Megjithatë, Veliu theksoi se nuk po largohet nga LDK-ja, pasi partinë e konsideron pjesë të jetës së tij politike që nga themelimi, por shtoi se LDK-ja duhet të “çlirohet nga mentaliteti i OJQ-izimit politik” dhe të rikthehet në rolin historik si forcë shtetformuese.
“LDK është më e madhe se interesat meskine të dy njerëzve”, përfundoi ai.
Reagimi i plotë:
Të dashur anëtarë, aktivistë dhe simpatizantë të Lidhjes Demokratike të Kosovës,
E ndjej obligim moral, njerëzor dhe politik t’ju falënderoj secilin prej jush për besimin, sakrificën dhe qëndrueshmërinë që i keni dhënë LDK-së ndër vite.
Kësaj radhe nuk dua të flas për rrugëtimin tonë të përbashkët politik për më shumë se tri dekada e gjysmë. As për sfidat dhe sukseset e mëdha të bastionit të pathyeshëm të LDK-së dhe rugovizmit në Llap, deri para pesë vitesh.
Nuk dua të flas kronologjikisht as për goditjet ndaj meje dhe vetë degës në Podujevë në vitet e fundit nga lidershipi aktual i LDK-së, që erdhi në parti për ta administruar, jo për ta zhvilluar.
Nuk dua t’ua sjell në kujtesë as papërgjegjësinë e lidershipit që prodhoi përçarje të madhe dhe polarizim të skajshëm të anëtarësisë. E, nuk po përmend as humbjet e njëpasnjëshme zgjedhore dhe rënien drastike të elektoratit në Llap e kudo në Kosovë.
Dua të ndalem te momentumi aktual partiak, që po promovohet si “Bashkimi i madh”, e që çuditërisht po përfshinë të gjithë ata që u anatemuan dhe eliminuan nga lidershipi aktual: pra të mënjanuarit, të diferencuarit dhe të padëshiruarit u bënë të dëshiruar.
Nuk di në cilën kategori të “Bashkimit të madh” bëj pjesë unë, por e di që para zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025, publikisht pata shprehur vullnetin të jem pjesë e listës së kandidatëve për deputetë, me qëllim të mobilizimit dhe unifikimit të elektoratit. Por kryesia e Degës kishte refuzuar edhe ta nxjerrë në diskutim kandidaturën time, me arsyetimin se ishte “vendim i shefit të madh (Lumirit)” të mos jem pjesë e garës.
Ndërsa sot e njëjta kryesi, me bekimin e shefit, më paska propozuar të jem në listën e kandidatëve për deputetë. Madje pa më kontaktuar dhe pa më konsultuar fare.
Tash nuk di nëse paskam ndryshuar unë, apo ata?
Jo. As unë, as ata.
Kanë ndryshuar vetëm strategjitë për mbijetesën e tyre politike.
Ka ndryshuar edhe motoja, të cilën e solli në LDK e rikthyera nga aventuara e saj pesë vjeçare në kampin majtist. Ajo, bashkë me Lumirin, mashtrimin dhe përdorimin e madh e ambalazhuan në “Bashkim të madh të djathtistëve”.
Pikërisht për këto arsye, me respektin më të thellë për anëtarësinë e ndershme të LDK-së, deklaroj publikisht se refuzoj të jem pjesë e listës së kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 7 qershorit.
Unë nuk largohem nga LDK-ja, sepse është pjesë e jetës sime politike që nga themelimi i saj. Por, refuzoj të përdorem dhe të jem pjesë e një projekti që e largon partinë nga identiteti i saj institucional e shtetndërtues.
Jam i bindur se LDK do të çlirohet nga mentaliteti i OJQ-izimit politik dhe do të rikthehet në rolin e saj historik si forcë përgjegjëse shtetformuese.
LDK është më e madhe se interesat meskine të dy njerëzve.
Zoti e ruajt LDK-në!
