Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës në detyrë, Kreshnik Ahmeti, ka vazhduar agjendën e tij zyrtare në Kanada, ku në ditën e dytë të vizitës zhvilloi një sërë takimesh të rëndësishme në Otava.
Gjatë qëndrimit në Parlamentin kanadez, Ahmeti u prit në Komitetin për Punë të Jashtme nga kryesuesi Ahmed Hussen dhe anëtarët e tjerë të komitetit.
Në komunikatën për media thuhet se, në këtë takim u vlerësua niveli i shkëlqyer i marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Kanadasë, si dhe u diskutuan mundësitë për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit, me theks të veçantë në fushën e mbrojtjes dhe minierave. Po ashtu, bashkëbiseduesit trajtuan zhvillimet e fundit në rajon dhe në nivel global, përfshirë ndikimin e faktorëve destabilizues.
Në kuadër të vizitës, zëvendësministri Ahmeti zhvilloi takime edhe me përfaqësues të lartë të institucioneve kanadeze, përfshirë Asistent Zëvendësministrin për Mbrojtje Kombëtare, Scott Millar, si dhe Zëvendësministrin e Asociuar për Shërbime Publike dhe Prokurim, Michael Mills. Në këto takime u diskutua zgjerimi i bashkëpunimit në industrinë e mbrojtjes dhe sigurisë.
Vizita në Kanada u shoqërua edhe me një takim me diasporën shqiptare në Otava, i mbajtur në ambientet e Ambasadës së Republikës së Kosovës. Ahmeti bashkëbisedoi me bashkatdhetarët për rolin e diasporës në forcimin e lidhjeve me vendlindjen, rëndësinë e mësimit të gjuhës shqipe dhe ruajtjen e identitetit kombëtar.
