Lajme

Ku e zhvilloi vizitën e parë jashtë vendit Shiroka Pula? Takim me presidentin e këtij shteti

Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, është pritur në takim nga Presidenti i Hungarisë, Andras Baka, me të cilin ka diskutuar për marrëdhëniet dypalëshe, integrimin evropian të Kosovës, bashkëpunimin ekonomik dhe çështjet e sigurisë në rajon.

Gjatë takimit, Presidentja Shiroka Pula vlerësoi marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Hungarisë, duke theksuar rëndësinë e partneritetit mes dy vendeve. Ajo rikujtoi se Hungaria ishte ndër shtetet e para që njohu pavarësinë e Kosovës, më 19 mars 2008, dhe shprehu gatishmërinë për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua zgjerimit të bashkëpunimit në fushat e ekonomisë, arsimit dhe mbrojtjes, si dhe identifikimit të mundësive të reja për zhvillimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve.

Sa i përket integrimit evropian, Presidentja Shiroka Pula ritheksoi se anëtarësimi në Bashkimin Evropian mbetet një nga synimet strategjike të Kosovës. Ajo kërkoi mbështetjen e Hungarisë për avancimin e Kosovës drejt statusit të vendit kandidat dhe për përparimin në hapat e mëtejshëm të procesit integrues.

Presidentja shprehu gjithashtu mirënjohjen për kontributin e Hungarisë në kuadër të misionit të KFOR-it në Kosovë, duke vlerësuar rolin e tij në ruajtjen e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në vend dhe në rajon.

Në përfundim të takimit, Presidentja Shiroka Pula e ftoi homologun hungarez, Andras Baka, për një vizitë zyrtare në Kosovë, në një kohë të përshtatshme për të dyja palët, me synimin për të forcuar më tej marrëdhëniet dhe bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve.

Të Ngjashme