Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

​AKI-ja protagoniste e aksionit ku u kap arsenal armësh në Zveçan

 
   

Aksioni policor i cili rezultoi me zbulimin e veturës me targa të Beogradit, në të cilën u kap arsenal armësh në Zveçan, media merr vesh ishte nisur nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI).

Në këtë aksion u kap armatim i prodhimit të Serbisë, ndër to granata të dorës prodhuar në vitin 2021, të tilla që janë përdorur në sulmin e 29 majit 2023 në Zveçan, kundër ushtarëve të KFOR-it; jelekë me mbishkrime të njësiteve ruse, serbe dhe logo e shenja identifikuese të organizatës “Severna Brigada”, si dhe mjete shpërthyese të përdorura më herët nga formacioni ilegal me aktivitete kriminale “Mbrojtja Civile”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se sasia e madhe e armatimit të gjetur tregon për përmasat e aksionit të planifikuar e të pasojave të parandaluara. Derisa ka shprehur mirënjohje ndaj PK-së dhe AKI-së për punën që po bëjnë gjithë këto kohë në ruajtën e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë dhe në parandalimin e krimit e terrorizmit në atë pjesë të Republikës së Kosovës.

Mbrëmë, Policia e Kosovës (PK) në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI) kanë parandaluar një sulm terrorist duke zbuluar në Zveçan, 100 metra afër objektit të Komunës, një veturë me shumë armë, municion e pajisje të ndryshme ushtarake Serbia qartazi është e pozicionuar për përshkallëzim të situatës. Përveç agresionit që Serbia ka ndërmarrë ndaj Republikës së Kosovës duke rrëmbyer 3 zyrtarë të Policisë së Kosovës brenda territorit tonë në 14 qershor 2023, ajo luftimin e rendit juridik dhe kushtetues të Republikës së Kosovës e ka çuar një hap me tutje me organizimin e sulmeve terroriste”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Pas këtij aksioni të suksesshëm të Policisë së Kosovës dhe Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë kanë reaguar edhe shoqëria civile.

Drejtori i KIPRED, Lulzim Peci ka thënë se aksioni i djeshëm i PK-së në zbulimin e një sasie të madhe te armatimit në Zveçan meriton komplimente.

Vuçiqi paralajmëronte se diçka mund të ndodh në veri më 28 qershor, por tani ka gjasa të mëdha se kjo dëshirë e tij të këtë pësuar fiasko! Kjo padyshim ka të bëjë me realizimin e ëndrrës së tij për ndarje të Kosovës. Koncepti i ‘Botes Serbe’, meton nëse jo sovranitetin e plotë atëherë ko-sovranitetin në vendet fqinje të saj ku jeton populli serb”, ka shkruar ai.

Përndryshe, të premten në Zveçan, policia ka zhvilluar një aksion, ku ka ndaluar veturën Audi në të cilën janë sekuestruar nëntë zola, dy lansues, dy osa, një predhë e minahedhësit, 21 granata dore, 20 predha të tromblonit, dy mbushës të barutit, 10 armë të gjata automatike, një revole, një shurdhues i armëve, 51 karikatorë të armëve të gjata, pesë karikatorë të armëve të shkurta, 5 mijë e756 fishekë të kalibrit të ndryshëm, 18 koktej molotovi, 17 mjete piroteknike, 14 mete tymuese, 5 thika ushtarake, 11 jelekë antiplumb dhe statik, 9 uniforma ushtarake, një palë dylbi, dy maska pambuku për kokë, një maskë kundër helmeve dhe gazërave, një dyshek ushtarak për nevoja të snajperistëve, 19 emblema të ‘severna brigadës’, një telefon ajror me sim kartelë dhe numër, tre radiolidhje dhe mbushës po ashtu, si dhe një sasi e narkotikëve.