Lajme

AKP shpall shitjen e 258 pronave në gjithë Kosovën

Agjencia Kosovare e Privatizimit shpall shitjen e re të aseteve të ndërmarrjeve shoqërore në likuidim, fton të gjithë investitorët e interesuar që të marrin pjesë dhe të konkurrojnë me ofertat e tyre për blerjen e aseteve të tenderuara.

“Janë gjithsej 258 asete të ndara sipas kategorive dhe potencialit zhvillimor, prej të cilave ka njësi bujqësore, shumë prej tyre me tokë të cilësisë së lartë për bujqësi intensive dhe pemëtari; njësi rezidenciale, ideale për zhvillim të banimit urban e rural; asete me funksione të ndryshme komerciale, të përshtatshme për investime afariste; depo me potencial për shfrytëzim logjistik apo magazinues dhe lokale afarist, që përfaqësojnë mundësi të rralla për zhvillim biznesi.

Asetet janë të shpërndara në 6 rajonet e Kosovës. Kjo valë e shitjeve synon të nxisë zhvillimin ekonomik përmes krijimit të mundësive konkrete për investime në bujqësi, banim, tregti dhe shërbime, kurse pronat janë me sipërfaqe që variojnë nga njësi të vogla për investitorë individualë, deri në prona të mëdha që mund të transformohen në qendra zhvillimi rural, agrobiznesi apo projekte banimi”, thuhet në njoftimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Ofertat e mbyllura për njësitë/asetet që janë në shitje përmes Shitjes së Aseteve me Likuidim nr.75 duhet të dorëzohen në “Sallën e konferencave – Hoteli Grand”, në Prishtinë më 9.9.2026, nga ora 10:00 deri në orën 12:00, të shoqëruara edhe nga depozita e ofertës dhe tarifa për paraqitjen e ofertës, ashtu siç është parashikuar për secilën njësi.

“Hapja e ofertave do të bëhet po të njëjtën ditë, duke filluar nga ora 12:30. Gjatë kësaj periudhe palët e interesuara e kanë mundësinë që të marrin informata më të detajuara si dhe t’i vizitojnë për së afërmi pronat e ofruara për shitje.

AKP fton të gjithë të interesuarit, individë, biznese, diasporë dhe investitorë të huaj, që të aplikojnë përmes një procesi transparent dhe të mbikëqyrur dhe të mos e humbin këtë mundësi për të investuar në prona me vlerë dhe me potencial të madh zhvillimor”, thuhet në njoftimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Të Ngjashme