Lajme

Banjska alarmon për sigurinë e Kosovës, ekspertët kërkojnë llogari nga Serbia: Pa drejtësi, paqja mbetet e brishtë

Sulmi terrorist në Banjskë, ku u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku, vazhdon të ngrejë shqetësime për sigurinë dhe stabilitetin e Kosovës, ndërsa mungesa e llogaridhënies së plotë për organizatorët dhe mbështetësit e mundshëm të sulmit shihet si pengesë për parandalimin e incidenteve të ngjashme.

Së fundi, zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Glauk Konjufca, ka deklaruar se synimet territoriale të Serbisë dhe mungesa e llogaridhënies për sulmin në Banjskë përbëjnë shqetësim serioz për sovranitetin e Kosovës dhe stabilitetin rajonal.

Në një intervistë për mediumin “The Hungary Insider”, Konjufca ka thënë se zhvillimet e fundit tregojnë, sipas tij, vazhdimësinë e politikës së Serbisë ndaj Kosovës dhe mbrojtjen politike të personave të përfshirë në sulmin e armatosur në Banjskë.

“Kërcënimi ndaj Republikës së Kosovës është real dhe bashkësia ndërkombëtare duhet ta njohë seriozitetin e këtij modeli”, ka deklaruar Konjufca.

Ekspertët e sigurisë, Bedri Elezi dhe Fidair Berisha, vlerësojnë se Serbia vazhdon të përbëj faktor rreziku për Kosovën dhe kërkojnë që përgjegjësit të përballen me drejtësinë, duke theksuar se reagimet diplomatike nuk mjaftojnë pa rezultate konkrete.

Sipas tyre, krahas presionit ndërkombëtar për llogaridhënie, Kosova duhet të forcojë kapacitetet e saj mbrojtëse, inteligjencën dhe sigurinë kufitare, në mënyrë që të parandalojë kërcënimet ndaj sovranitetit dhe rendit kushtetues të vendit.

Eksperti i sigurisë vlerëson se mungesa e ndjekjes penale ndaj figurave kyçe të lidhura me sulmin e 24 shtatorit 2023 dobëson parandalimin dhe besueshmërinë e dialogut

Sulmi terrorist në Banjskë, ku mbeti i vrarë rreshteri policor Afrim Bunjaku, dëshmoi se kërcënimet ndaj sigurisë dhe sovranitetit të Kosovës janë reale, ndërsa mungesa e llogaridhënies për të gjithë zinxhirin e mundshëm të përgjegjësisë rrezikon të dobësojë përpjekjet për parandalimin e incidenteve të ngjashme. Kështu vlerëson eksperti i sigurisë, Bedri Elezi, i cili kërkon që rasti të mos konsiderohet i mbyllur pa u zbardhur të gjitha përgjegjësitë mbi bazën e provave dhe procedurave ligjore.

Në një prononcim për “Bota sot”, Elezi thekson se Serbia vazhdon të përbëjë faktor serioz rreziku për sigurinë dhe sovranitetin e Kosovës. Sipas tij, ky vlerësim duhet të mbështetet në kapacitetet ushtarake, veprimet e dokumentuara, pretendimet territoriale dhe, mbi të gjitha, në atë që ndodhi në Banjskë.

Ai rikujton se sulmi i grupit të armatosur rëndë tregoi se veriu i Kosovës mund të bëhet objekt i operacioneve të dhunshme, me pasoja të drejtpërdrejta për rendin kushtetues dhe integritetin territorial të vendit.

Sipas Elezit, rasti duhet të analizohet përtej përballjes së armatosur, duke përfshirë qëllimin e dyshuar, organizimin, logjistikën, furnizimin me armatim dhe zinxhirin e mundshëm të mbështetjes.

Pikërisht këto elemente, sipas tij, duhet të hetohen deri në fund, për të përcaktuar nëse ka pasur përgjegjësi të tjera përtej personave që morën pjesë drejtpërdrejt në sulm.

Image
Bedri Elezi

Elezi: Hendek ndërmjet drejtësisë në Kosovë dhe mungesës së ndjekjes penale në Serbi

Eksperti i sigurisë e konsideron veçanërisht shqetësues dallimin ndërmjet procesit gjyqësor që po zhvillohet në Kosovë dhe mungesës së ndjekjes penale në Serbi ndaj figurave kyçe të lidhura me rastin.

Duke iu referuar zhvillimeve gjyqësore, Elezi përmend vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë të 24 prillit 2026, me të cilin Blagoje Spasojeviq dhe Vladimir Toliq u dënuan me burgim të përjetshëm, ndërsa Dušan Maksimoviq me 30 vjet burgim. Ai i cilëson këto vendime të shkallës së parë si zhvillim të rëndësishëm në procesin e drejtësisë, por nënvizon se një pjesë e konsiderueshme e personave të akuzuar vazhdon të jetë jashtë juridiksionit efektiv të institucioneve të Kosovës.

Në këtë kontekst, Elezi veçon rastin e Milan Radoiçiqit, i cili ka marrë publikisht përgjegjësinë për organizimin e sulmit.

Megjithatë, sipas ekspertit, kjo deklaratë nuk e zëvendëson një proces të plotë gjyqësor që do të përcaktonte përgjegjësinë penale. Ai thekson se, sipas raportimeve publike deri në prill të vitit 2026, në Serbi nuk ishte ngritur aktakuzë ndaj Radoiçiqit për organizimin e sulmit në Banjskë.

Elezi ngre pikëpyetje për mundësinë e normalizimit të marrëdhënieve dhe ndërtimit të stabilitetit të qëndrueshëm në rajon, nëse personat e lidhur me një sulm vdekjeprurës nuk përballen me drejtësinë.

Sipas Elezit, çështja nuk lidhet vetëm me Kosovën, por edhe me sundimin e ligjit, besueshmërinë e dialogut dhe standardet që Bashkimi Evropian kërkon nga shtetet që synojnë integrimin evropian.

Ai i referohet edhe qëndrimit të BE-së pas vendimit gjyqësor të 24 prillit 2026, kur, sipas tij, Unioni shprehu keqardhje që Serbia ende nuk kishte ndërmarrë hapat e nevojshëm për t’i sjellë para drejtësisë përgjegjësit për sulmet e vitit 2023 në veri të Kosovës.

Për Elezin, problemi kryesor nuk është mungesa e deklaratave ndërkombëtare, por mungesa e rezultateve konkrete dhe të verifikueshme.

Ai kërkon që BE-ja dhe partnerët ndërkombëtarë të zbatojnë standarde të njëjta ndaj të dyja palëve, duke e lidhur bashkëpunimin me rezultate të matshme, përfshirë ndjekjen penale të personave të dyshuar sipas ligjit, bashkëpunimin me institucionet kompetente të Kosovës dhe trajtimin e kërkesave për drejtësi.

“Dialogu nuk mund të shërbejë si mburojë politike ndaj përgjegjësisë penale, ndërsa normalizimi nuk mund të ndërtohet mbi një rast të rëndë sigurie që mbetet i papërfunduar në aspektin e llogaridhënies”, thekson Elezi në analizën e tij.

Ai paralajmëron se mosndëshkimi i organizatorëve dhe mbështetësve të mundshëm të një operacioni të armatosur mund të krijojë përshtypjen se veprime të tilla kanë kosto të kufizuar politike dhe juridike. Sipas tij, ky rrezik nuk duhet të nënvlerësohet nga institucionet ndërkombëtare.

Përveç kërkesave për llogaridhënie nga Serbia dhe bashkësia ndërkombëtare, Elezi vlerëson se edhe institucionet e Kosovës duhet të ndërmarrin hapa konkretë për të parandaluar kërcënimet e ardhshme.

Ai kërkon më shumë investime në inteligjencën e sigurisë, kundërzbulim, mbrojtjen e kufirit, analizën e kërcënimeve hibride dhe bashkëpunimin operacional me partnerët strategjikë.

Sipas tij, përgjigjja ndaj rreziqeve nuk duhet të mbështetet në panik apo retorikë politike, por në gatishmërinë institucionale, parandalimin dhe aftësinë për të identifikuar kërcënimet përpara se ato të shndërrohen në sulme.

“Drejtësia duhet të ndjekë të gjithë zinxhirin e përgjegjësisë, mbi bazën e provave dhe procedurave ligjore. Serbia duhet të dëshmojë me veprime konkrete se nuk toleron pandëshkueshmërinë, ndërsa bashkësia ndërkombëtare duhet të dëshmojë se standardet e saj të sigurisë dhe drejtësisë zbatohen në mënyrë të qëndrueshme”, thekson eksperti i sigurisë.

Në përfundim, Elezi rikujton sakrificën e rreshterit policor Afrim Bunjaku, i cili u vra në krye të detyrës, duke mbrojtur rendin kushtetues dhe sigurinë e qytetarëve.

Ai vlerëson se përgjegjësia institucionale ndaj sakrificës së tij kërkon më shumë se homazhe dhe deklarata, duke nënvizuar nevojën për drejtësi, parandalim dhe garanci që një operacion i ngjashëm të mos përsëritet.

“Paqja në Kosovë nuk mund të mbështetet vetëm në premtime politike. Ajo duhet të mbështetet në siguri reale, përgjegjësi të provuar dhe një standard ndërkombëtar që nuk lejon që pandëshkueshmëria të bëhet instrument destabilizimi”, përfundon Elezi.

Eksperti i sigurisë paralajmëron se synimet politike të Serbisë ndaj Kosovës dhe mungesa e përgjegjësisë për sulmin terrorist në Banjskë kërkojnë vigjilencë të vazhdueshme.

Image
Fidair Berisha

Kurse, eksperti tjetër i sigurisë, Fidair Berisha, vlerëson se Serbia vazhdon të përbëjë një faktor serioz rreziku për sigurinë dhe stabilitetin e Kosovës. Sipas tij, ndonëse një konflikt i ri nuk është i pashmangshëm, synimet politike të Beogradit, kapacitetet ushtarake dhe mungesa e përgjegjësisë së plotë për sulmin terrorist në Banjskë kërkojnë vëmendje të vazhdueshme nga institucionet vendore dhe faktori ndërkombëtar.

Berisha thekson se zhvillimet e sigurisë duhet të trajtohen me seriozitet, duke mos i nënvlerësuar kërcënimet që mund të cenojnë sovranitetin dhe stabilitetin e vendit.

“Vlerësoj se Serbia vazhdon të përbëjë një faktor serioz rreziku për sigurinë dhe stabilitetin e Kosovës. Kjo nuk nënkupton se një konflikt i ri është i pashmangshëm, por se synimet politike të Serbisë ndaj Kosovës, kapacitetet e saj ushtarake dhe mungesa e një përgjegjësie të plotë për sulmin terrorist në Banjskë kërkojnë vigjilencë të vazhdueshme institucionale dhe ndërkombëtare”, deklaron Berisha.

Duke iu referuar sulmit të armatosur në Banjskë, më 24 shtator 2023, eksperti i sigurisë vlerëson se kjo ngjarje dëshmoi se rreziqet ndaj Kosovës nuk kufizohen vetëm në deklarata politike, por mund të shndërrohen edhe në veprime konkrete të armatosura.

Sipas tij, sulmi kishte pasoja të drejtpërdrejta për sigurinë dhe rendin kushtetues të Kosovës, ndërsa zbardhja e plotë e rastit dhe ndëshkimi i të gjithë përgjegjësve mbeten thelbësore për parandalimin e ngjarjeve të ngjashme në të ardhmen.

“Sulmi në Banjskë, më 24 shtator 2023, dëshmoi se kërcënimet ndaj Kosovës nuk janë vetëm retorike, por mund të marrin edhe formën e veprimeve të armatosura, me pasoja të drejtpërdrejta për sigurinë dhe rendin kushtetues të vendit. Për këtë arsye, është me rëndësi që hetimi dhe ndjekja penale të çojnë te të gjithë përgjegjësit, përfshirë ata që mund të kenë organizuar, financuar ose mbështetur sulmin”, shprehet ai.

Berisha kritikon gjithashtu mungesën e rezultateve konkrete në drejtim të llogaridhënies për sulmin në Banjskë, duke theksuar se reagimet diplomatike të bashkësisë ndërkombëtare nuk duhet të mbeten vetëm në nivel deklaratash.

Sipas tij, në raste të tilla, rëndësi vendimtare ka fakti nëse reagimet ndërkombëtare kanë ndikuar në vendosjen e përgjegjësisë dhe në krijimin e mekanizmave që parandalojnë përsëritjen e sulmeve.

“Sa i përket bashkësisë ndërkombëtare, çështja nuk është vetëm nëse ka pasur reagime diplomatike, por nëse ato kanë prodhuar rezultate konkrete në drejtim të llogaridhënies dhe parandalimit të përsëritjes së ngjarjeve të tilla. Kur përgjegjësia për një sulm të kësaj natyre mbetet e papërfunduar, krijohet përshtypja e një standardi të dyfishtë dhe dobësohet besimi në mekanizmat ndërkombëtarë të sigurisë”, thekson eksperti.

Në këtë kontekst, ai konsideron se Kosova duhet të vazhdojë të investojë në forcimin e kapaciteteve të saj mbrojtëse dhe të sigurisë, duke përfshirë inteligjencën, kontrollin e kufirit dhe koordinimin ndërmjet institucioneve përgjegjëse.

Berisha vë në pah edhe rëndësinë e ruajtjes dhe thellimit të partneritetit strategjik me NATO-n, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, si elemente të rëndësishme për garantimin e sigurisë dhe stabilitetit afatgjatë të vendit.

“Kosova duhet të vazhdojë ta forcojë kapacitetin e saj mbrojtës, inteligjencën, sigurinë kufitare dhe koordinimin ndërinstitucional, duke ruajtur partneritetin strategjik me NATO-n, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian”, deklaron Berisha.

Në përfundim, eksperti i sigurisë nënvizon se pa zbardhjen e plotë të sulmit në Banjskë, vendosjen e përgjegjësisë dhe garanci konkrete për parandalimin e sulmeve të ngjashme, siguria e qëndrueshme në Kosovë mbetet e cenuar.

“Mirëpo, një fakt është i ditur: pa përgjegjësi për Banjskën dhe pa garanci konkrete për mospërsëritjen e sulmeve, siguria e qëndrueshme në Kosovë mbetet e cenuar. Paqja ndërtohet përmes parandalimit, drejtësisë dhe respektimit të sovranitetit, jo përmes heshtjes ndaj veprimeve që e rrezikojnë atë”, përfundon Fidair Berisha për “Bota sot”.

Të Ngjashme