Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ka ndaluar tre persona për 48 orë, nën dyshimet për kryerjen e veprave penale “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar” dhe “Falsifikim i dokumentit”.
Sipas njoftimit, aksioni është realizuar nga Departamenti për Krime të Rënda, përkatësisht Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), pas disa muajsh hetime dhe zbatimit të masave të veçanta hetimore.
Nga personat e ndaluar, dy prej tyre janë zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Njëri punon në Divizionin për të Huaj, ndërsa tjetri në Agjencinë e Regjistrimit Civil (ARC).
Prokuroria ka bërë të ditur se, sipas dyshimeve fillestare, personat me inicialet F.Sh. dhe G.J., në cilësinë e zyrtarëve publikë, dyshohet se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa personi me inicialet D.K. dyshohet për veprën penale “Falsifikimi i dokumentit”.
Njoftimi:
Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, përkatësisht Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, njofton opinionin publik se, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), pas zhvillimit të hetimeve disa mujore dhe zbatimit të masave të veçanta hetimore, me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë ndaluar tre (3) persona për 48 orë.
Nga personat e ndaluar, dy (2) janë në cilësinë e personave zyrtarë në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Njëri prej tyre zyrtar në Divizionin për të Huaj, ndërsa tjetri është zyrtar në Agjencinë e Regjistrimit Civil (ARC).
Sipas dyshimeve të bazuara në fazën fillestare, të dyshuarit me inicialet F.Sh., dhe G.j., në cilësinë e personave zyrtarë, dyshohen se kanë kryer veprën penale ‘’Keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar’’ nga neni 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, si dhe i dyshuari me inicialet D.K., dyshohet për kryerjen e veprës penale ‘’Falsfikimi i dokumentit’’, nga neni 390 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Po ashtu, nga hetimet e deritanishme rezulton se të dyshuarit F. Sh., dhe G.J., në cilësinë e personave zyrtarë dyshohen, se në bashkëkryerje kanë lëshuar leje qëndrimi për shtetas të huaj, duke u mundësuar atyre pajisjen me dokumentacionin përkatës, përmes të cilit dyshohet se kanë përfituar dobi pasurore në mënyrë të kundërligjshme.
Ndërkaq, i dyshuari me inicialet D.K., dyshohet se ka falsifikuar dokumente të ndryshme me qëllim që t’iu mundësojë personave të tjerë të aplikojnë dhe të pajisen në mënyrë të kundërligjshme me leje qendrimi në Republikën e Kosovës.
Prokurori i Shtetit, brenda afatit ligjor, do të shqyrtojë mundësinë për paraqitjen e kërkesës për caktimin e ndonjerën prej masave të sigurisë ndaj të dyshuarve, në përputhje me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale.
Prokuroria Themelore në Prishtinë në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera kompetente, mbetet e përkushtuar në luftimin e korrupsionit dhe krimit ekonomik, garantimin e sundimit të ligjit dhe mbrotjen e interesit publik.
