Lajme

Aksioni i Policisë dhe AKI-së që ngriti alarm – ekspertët e sigurisë flasin për arrestimet: Ky është mesazhi që u përcoll!

Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), ka zhvilluar një operacion të koordinuar me qëllim identifikimin dhe parandalimin e aktiviteteve që mund të cenojnë sigurinë e vendit.

Aksioni u realizua pas bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacioneve ndërmjet institucioneve përgjegjëse.

Si rezultat i operacionit, autoritetet arrestuan katër persona të dyshuar. Institucionet e sigurisë ndërmorën veprimet e nevojshme procedurale, ndërsa hetimet lidhur me rastin vazhduan për të sqaruar të gjitha rrethanat.

Pas zhvillimit të aksionit, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, bëri të ditura detaje mbi operacionin.

Ai theksoi se bashkëpunimi mes Policisë së Kosovës dhe AKI-së është kyç për luftimin e aktiviteteve që paraqesin rrezik për sigurinë publike.

Rasti tërhoqi vëmendjen e opinionit publik dhe hapi diskutime mbi efektivitetin e institucioneve të sigurisë në parandalimin e kërcënimeve të mundshme.

Gjithashtu, ai vuri në pah rëndësinë e koordinimit ndërinstitucional për ruajtjen e rendit dhe sigurisë në vend.

Shala: Ky koordinim rrit ndjeshëm efikasitetin në identifikimin dhe neutralizimin e kërcënimeve përpara se ato të materializohen

E në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur eksperti i sigurisë Drizan Shala.

Eksperti ka vlerësuar se operacioni tregon nivelin e lartë të bashkëpunimit ndërmjet Policisë së Kosovës, AKI-së dhe institucioneve të drejtësisë, duke theksuar se ky koordinim forcon aftësinë e shtetit për të parandaluar dhe neutralizuar kërcënimet ndaj sigurisë, si dhe dëshmon rritjen e kapaciteteve të institucioneve të sigurisë.

“Ky operacion dëshmon se bashkëpunimi ndërinstitucional ndërmjet Policisë së Kosovës, Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI) dhe institucioneve të drejtësisë është një nga elementët më të rëndësishëm për mbrojtjen e sigurisë kombëtare. Në raste të tilla, AKI ka rol kyç në mbledhjen, analizimin dhe shkëmbimin e inteligjencës, ndërsa Policia e Kosovës realizon aspektin operativ të hetimit dhe arrestimit, gjithmonë nën mbikëqyrjen dhe autorizimin e organeve të drejtësisë. Ky koordinim rrit ndjeshëm efikasitetin në identifikimin dhe neutralizimin e kërcënimeve përpara se ato të materializohen.

Nga perspektiva e sigurisë, aksioni tregon se institucionet e Kosovës kanë zhvilluar kapacitete operative dhe analitike për të vepruar mbi bazën e informacionit të inteligjencës, duke demonstruar aftësi për planifikim, koordinim dhe ekzekutim të operacioneve komplekse. Kjo është gjithashtu një sinjal se mekanizmat institucionalë janë në gjendje të reagojnë ndaj rreziqeve që lidhen me krimin e organizuar, ekstremizmin, spiunazhin apo forma të tjera të kërcënimeve hibride”, u shpreh ai.

Image
Drizan Shala

Duke vazhduar tutje, eksperti shton se suksesi i operacionit nuk varet vetëm nga arrestimet, por edhe nga përfundimi i hetimeve dhe procesit gjyqësor.

Ai ka shtuar se bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë dhe investimi në kapacitetet e sigurisë janë thelbësore për forcimin e sigurisë së Kosovës dhe rritjen e besimit të qytetarëve në institucionet shtetërore.

“Megjithatë, rëndësia e operacionit nuk matet vetëm me arrestimet. Efekti strategjik do të varet nga vazhdimi i hetimeve, sigurimi i provave të qëndrueshme dhe përfundimi i procesit gjyqësor me standardet më të larta ligjore. Vetëm në këtë mënyrë arrihet çmontimi i plotë i rrjeteve dhe krijohet një efekt parandalues ndaj aktiviteteve të ngjashme në të ardhmen.

Në të njëjtën kohë, bashkëpunimi i vazhdueshëm me partnerët ndërkombëtarë, shkëmbimi i inteligjencës dhe investimi në teknologji, analizë dhe trajnim profesional mbeten faktorë kyç për forcimin e mëtejshëm të arkitekturës së sigurisë së Republikës së Kosovës. Operacione të tilla rrisin besimin e qytetarëve në institucionet e sigurisë dhe dërgojnë një mesazh të qartë se çdo aktivitet që cenon rendin kushtetues dhe sigurinë kombëtare do të trajtohet me profesionalizëm dhe në përputhje me ligjin”, shtoi eksperti i sigurisë Drizan Shala për “Bota sot”.

Berisha: Sfidat fillojnë pas arrestimeve

Ndërsa, njohësi tjetër nga fusha e sigurisë, Fidair Berisha në një bashkëbisedim me “Bota sot”, ka thënë se ky operacion dëshmon bashkëpunimin efektiv ndërmjet Policisë së Kosovës, AKI-së dhe institucioneve të drejtësisë në luftimin e kërcënimeve ndaj sigurisë.

Megjithatë, suksesi i tij nuk matet vetëm me arrestimet, por edhe me sigurimin e provave dhe përfundimin e rastit në përputhje me ligjin.

“Si njohës i fushës së sigurisë, vlerësoj se ky operacion paraqet një shembull të rëndësishëm të funksionimit të koordinuar të mekanizmave të sigurisë në Kosovë. Bashkëpunimi ndërmjet Policisë së Kosovës, Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI) dhe institucioneve të drejtësisë është element kyç për identifikimin, hetimin dhe parandalimin e kërcënimeve që cenojnë sigurinë kombëtare dhe rendin publik.

Natyrisht operacionet e tilla zhvillohen mbi bazën e inteligjencës operative, provave dhe procedurave të rregullta ligjore, dhe dëshmon se institucionet e sigurisë kanë reaguar në kohë ndaj kërcënimeve të tilla. Megjithatë, një operacion i suksesshëm nuk vlerësohet vetëm nga arrestimet e realizuara, por edhe nga aftësia për t’i mbështetur ato me prova të qëndrueshme dhe për t’i përmbyllur rastet me vendime gjyqësore të bazuara në ligj”, shton eksperti i sigurisë.

Image
Fidair Berisha

Eksperti vlerëson se aksione të tilla kanë efekt parandalues, pasi tregojnë aftësinë e institucioneve për të bashkëpunuar kundër kërcënimeve dhe forcojnë besimin e qytetarëve në institucionet e sigurisë.

Ai thekson se sfida kryesore nis pas arrestimeve, ku hetimet, provat dhe procesi gjyqësor duhet të zhvillohen me profesionalizëm dhe në përputhje me ligjin.

“Nga perspektiva e sigurisë kombëtare, konsideroj se aksione të tilla kanë efekt të rëndësishëm fillimisht parandalues sepse dërgojnë një mesazh të qartë se institucionet janë të afta të bashkëpunojnë, të shkëmbejnë informata dhe të ndërmarrin veprime të koordinuara kundër rrjeteve kriminale apo formave të tjera të kërcënimeve ndaj sigurisë. Njëkohësisht, operacione të tilla kontribuojnë në forcimin e besimit të qytetarëve në institucionet e sigurisë, për aq kohë sa zhvillohen me profesionalizëm, transparencë dhe në respekt të plotë të të drejtave të njeriut.

Megjithatë duhet kuptuar se sfidat fillojnë pas arrestimeve. Tani përgjegjësia kalon te faza hetimore dhe ajo gjyqësore, ku është thelbësore të ruhet integriteti i provave, të vazhdojë koordinimi institucional dhe të respektohet prezumimi i pafajësisë deri në një vendim të formës së prerë. Vetëm një proces i plotë, profesional dhe i bazuar në ligj mund të prodhojë rezultate afatgjata në luftimin e krimit të organizuar dhe në forcimin e sigurisë kombëtare”, përfundoi eksperti i sigurisë Berisha për “Bota sot”.

Të Ngjashme